Daja ndez që tani finalen: Unë e lashë Tiranën në luftë me kryesuesit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 19, 2017 | 21:26

Daja ndez që tani finalen: Unë e lashë Tiranën në luftë me kryesuesit

Ilir Daja do të luajë finalen e Kupës së Shqipërisë si kundërshtar i ekipit që ka krijuar vetë në vërën e kaluar, Tiranës, por nga i cili u largua në mes të sezonit, para se të merrte drejtimin e korçarëve. Ndërsa bardheblutë notojnë në ujëra të turbullta në kampionat dhe i vënë shpesh fajin programimit të ish-trajnerit, Daja nuk ka ngurruar që në emisionin “Gol pas Goli” të lëshojë thumbime në adresë të tyre.

daja

Për kualifikimin në finale

“Do të përgëzoja të gjithë futbollistët për arritjen deri në finale por specifika e Kupës është që nëse nuk e fiton, nuk ke bërë asgjë edhe nëse ke dalë në finale. Ka kohë për të përgatit ndeshjen finale meqë është në fund të majit, por që nesër fillojmë përgatitjet për transfertën e Laçit.

Për ndeshjen e sotme mund të them se kishim kontroll të mirë të territorit, e kemi filluar pak më ndryshe 3-4 javët e fundit, se Teuta na ka rrezikuar në krahë. Pastaj kemi më mirë hapësirat, ndërsa në pjesën e dytë, shënimi i golit na dha qetësinë, se siç dihet rezultati në ndeshjen e parë ishte në favorin tonë”.

Për rëndësinë e golave të Vangjelit dhe Latifit

“Nuk dua të bëj diplomatin, por të dy janë lojtarë të rëndësishëm të ekipit. I rëndësishëm ishte goli i Vangjelit në ndeshjen e parë se na shtyu në ndeshjen e sotme, ndërsa ai i Latifit na dha qetësinë. Si sot, si ndaj Flamurtarit në kampionat. Përveç Kupës, që kemi kohë për ta përgatitur, mendoj që kemi potencialin e duhur për të menduar paralelisht edhe për kampionatin”.

Për rreshtimin taktik më të tërhequr

“Natyrshëm që do të ishim fleksibël por me fitoren 1-0 në ndeshjen e parë, kërkonim më shumë ekuilibër atë ku Teuta ka një armë të saj, ndaj vendosja me dy para mbrojtjes na bëri të ngushtonim hapësirat për të menaxhuar golin në Korçë. Përtej kësaj do të thosha që ajo që duhej të bënim ishte shënimi i golit, se ai pastaj na dha qetësinë për të menaxhuar pjesën tjetër të takimit. Zgjidhja taktike ishte në funksion të rezultatit të parë dhe kundërshtarit”.

Për duelin me Tiranën

“Të them të drejtën nuk më takon mua të flas. E kam lënë Tiranën brenda objektivave si në eliminimin e Luftëtarit në Kupë pas fitores në transfertë, qoftë edhe në vendin e katërt në kampionat, 5 pikë larg vendit të parë dhe mund të luftonte fort.

Por është histori e mbyllur, drejtoj Skënderbeun, jam i kënaqur me grupin që drejtoj dhe kushtet që ka ky klub, si ne menaxhim, ashtu edhe vlera financiare, qoftë edhe në infrastrukturë. Mendoj se me Tiranën është shumë ndeshje e fortë, se Tirana, si kemi ne atë të kampionatit, do të ketë edhe ajo gjatë periudhës një ngarkesë maksimale, ndaj mendoj që të dy ekipet do ta përgatitin mirë këtë sfidë.

Të fitojë me i miri, natyrshëm ekipi që drejtoj se e meritojnë këto çuna duke luajtur tre ndeshje brenda javës, që tashmë është e natyrshme për ne. Me daljen në finale, të përqendrohemi te kampionati se tani luajmë si rivalët, një ndeshje në çdo javë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"