Daja: Motivim maksimal ndaj Jang Bojsit, çelësi i suksesit tek Skënderbeu është bashkëpunimi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 6, 2017 | 22:51

Daja: Motivim maksimal ndaj Jang Bojsit, çelësi i suksesit tek Skënderbeu është bashkëpunimi

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, doli në konferencë për shtyp para ndeshjes me Jang Bojs, ku tha se edhe pse Skënderbeu është i eliminuar, motivimi do të jetë maksimal për këtë ndeshje.

““Duke parë pozicionet e ekipeve nuk kemi pretendime për shkak se çështja e kualifikimit është zgjidhur tashmë. E rëndësishme për ne është të vijojmë me rezultatet pozitive por dëshirojmë të promovojmë dhe disa lojtarë të rinj, të kondicionuar dhe nga mungesat e shumta.”

daja

MOTIVIMI – “Edhe pse nuk ka shanse kualifikimi, vijmë në këtë ndeshje 100 % të motivuar. Duhet ta mbyllim sezonin në Europë pozitivisht ashtu siç edhe e kemi filluar. Skënderbeu ka luajtur si i barabartë me të gjithë. Duhet të jemi 100% të motivuar për të mbajtur ritmin e treguar në këtë sezon si në Kupat e Europës por edhe në kampionat.”

KUALIFIKIMI PENG – “Mund të them që takimin në Beograd nuk meritonim ta humbisnim. Por edhe në ndeshjet e luajtura në Shqipëri mund të merrnim më shumë por u kondicionuam nga dëmtimet. Nuk kam çfarë ju kërkoj më shumë lojtarëve, kemi arritur diçka të madhe deri këtu”.

ÇELËSI I SUKSESIT – “Çelësi i suksesit është padiskutim bashkëpunimi duke nisur nga presidenti, tek lojtarët dhe stafi administrativ i klubit. Elementi më i fortë është shpirti i skuadrës. Kemi mentalitet fitues”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"