Daja merr “spaletat” e merkatos, ultimatum për brazilianin Danilo Alvesh

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 15, 2018 | 14:26

Daja merr “spaletat” e merkatos, ultimatum për brazilianin Danilo Alvesh

Ashtu siç ndodhi me Shpëtim Duron, edhe Ilir Daja do të jetë trajner-menaxher dhe ka të drejtë që të afrojë çdo lojtar që dëshiron. Këtë fakt, administratori Idrizi ia konfirmoi trajnerit të ri të vlonjatëve gjatë një takimi që ka pasur me të gjatë ditës së djeshme. Idrizi i ka thënë Dajës që të mos ngurojë, pasi është i gatshëm që të plotësojnë çdo kërkesë financiare që lojtarët mund të kenë. Administratori i ka theksuar trajnerit se ka çdo kompetencë për merkaton dhe se ai nuk i ndërhyn.

daja flamurtari

“Profesor Daja, ke dorë të lirë në merkato. Mund të marrësh cilindo lojtar që dëshiron. Asnjë nga ne drejtuesit e klubit, që nga unë i pari, nuk të ndërhyjmë, kështu që mos nguro! Je fuqiplotë për të bërë çdo gjë në këtë merkato. Mbështetjen maksimale e ke nga unë. Jam i gatshëm që të plotësoj çdo kusht dhe kërkesë financiare. Detyra juaj është që të afroni lojtarë me eksperiencë dhe që të bëjnë diferencën. Jam i gatshëm që të ofroj çdo buxhet, qoftë ky edhe i shtrenjtë, mjafton që të gjeni lojtarët e duhur. Unë nuk kam ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyj kurrë në punën tuaj. Keni dorë të lirë”, i tha Idrizi trajnerit Daja.

daja flamurtarii

ALVESH – Trajneri Ilir Daja është në pritje të sulmuesit brazilian Danilo Alvesh. Ky i fundit vijon të jetë në Brazil dhe ende nuk ka një moment të përcaktuar se kur mund të kthehet. Por, në fakt nuk është hera e parë që Alvesh e vonon kthimin në Vlorë, kjo edhe kur ishte në kontratë dhe jo më tani që kontrata i ka përfunduar. Në Vlorë e presin, ndërsa vetë sulmuesi është shprehur se nëse kthehet në Shqipëri, do të zgjedhë vetëm Flamurtarin. Por trajneri Daja i ka thënë dje Idrizit se nuk do ta presë gjatë Alveshin dhe nëse nuk vjen javën tjetër, do të hyjë në merkato edhe për sulmues.

“Doja që Alvesh të ishte pjesë e Flamurtarit, por nuk di çfarë bëhet me të, pasi nuk po na kthen përgjigje. Nëse nuk vjen këto ditë, atëherë do të hyj në merkato për të gjetur lojtarë të tjerë”, ka thënë Daja.

danilo alvesh

MERKATO – Zbehen në Vlorë pistat e Gjergji Muzakës, Tefik Osmanit dhe Gledi Micit. Në fakt, te Flamurtari i presin këta lojtarë të Skënderbeut, por kanë frikë se mos ndodh e njëjta situatë si edhe me Radasin, i cili zgjodhi të qëndrojë në Korçë. Për Muzakën, Osmanin dhe Micin është edhe një ofertë konkrete që klubi vlonjat ka bërë dhe duket se një gjë e tillë është pëlqyer edhe nga vetë lojtarët, por po vonon përgjigjja. Gjasat janë që gjërat të jenë ftohur në këtë drejtim dhe se lojtarët mund të mos vijnë në Vlorë, edhe pse bisedimet mbeten ende të hapura. Ndërkaq, Daja është në kërkim të lojtarëve, të cilët janë pa kontratë, ndërsa nuk dëshiron të hyjë në bisedime me ata që kanë kontrata me klubet e tyre.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"