Daja: Kupa nuk i motivon lojtarët, tani duhet të rindërtojmë ekipin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 31, 2017 | 22:48

Daja: Kupa nuk i motivon lojtarët, tani duhet të rindërtojmë ekipin

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, ka deklaruar se skuadrës së tij i ka munguar motivimi për ndeshjen me Tiranën. Në “Gol pas Goli” ai deklaroi se kjo ishte një nga arsyet pse ekipi i tij nuk arriti të fitonte trofeun që i mungon klubit, ndërsa ka paralajmëruar një proces rindërtimi të skuadrës.

daja

Për arsyet e humbjes

“Mungesat e shumta që kishim, Latifi dhe Mici që ishin të sforcuar në këtë ndeshje, bënë që ne gati të luanim me një pjesë të lojtarëve që kanë pasur pak minutazh gjatë kampionati.

Arsye tjetër është fakti që lojtarët me eksperiencë që duhej të motivonin pjesën tjetër, hynë me një motivim jo maksimal . Si duket se janë mësuar me trofe të kampionatit dhe kjo e Kupës, edhe pse ka rëndësinë e vet, ndoshta nuk i bën lojtarët të motivohen maksimalisht.

Prania në Europë është një tjetër gjë, situata jo e mirë e Tiranës… Të gjitha bënë që të mos kishim motivimin e duhur.

Megjithëse kemi reaguar në pjesën e parë, kishim shumë situata për gol, kontrolluam deri nga fundi i ndeshjes dhe aty kur besuam se në shtesa do ishim superiorë, ndërrimet dhe futja e lojtarëve të ri bëri që ekipi të humbte një farë ekuilibri dhe krijuam shumë hapësira edhe mbrapa”.

Për bilancin e sezonit

“Kemi bërë gjithçka mirë edhe në kampionat, se ta marrësh Skënderbeun me 14 pikë në 12 javë do të thotë se kishte shumë probleme psikologjik, se lojtarët ishin të njëjtët. Kemi bërë një ecuri shumë të mirë, do të thosha se nuk kemi arritur te kampionati se nuk na lanë, jo se nuk e meritonim.

Ndërsa për Kupën kemi bërë luftë për të arritur deri në finale, sot ishim të përgjysmuar qoftë edhe për dëmtimet që kemi marrë gjatë kampionatit. Mendoj që ekipi ka bërë një sezon goxha të mirë, edhe pse nuk kemi marrë asnjë trofe”.

A mund të cilësohet vit i dështuar

“Unë i marr përgjegjësitë për vete, po të zerosh pikët nga janari që drejtoj Skënderbeun, besoj që kemi marrë më shumë pikë se të tjerët. Shtoji edhe trepikëshin në Kukës dhe besoj që kishim mundësi që të shkonim te trofeu i kampionatit, për këtë pjesë nuk mbaj asnjë lloj përgjegjësie.

Ndjehem i respektuar që kam fituar simpatinë e tifozëve korçarë, kemi qenë nga ato ekipe me përformancë në ngritje. Bëmë 7 fitore radhazi në kampionat dhe arritëm në finalen e Kupës. Por sigurisht që nuk e kam potencialin e duhur që edhe me ekipin e dytë të Skënderbeut të bëj gjithçka për kaq pak kohë që kisha në dispozicion”.

Për rindërtimin e ekipit

“Nëse do të kishim një Salihi në kontingjentin fizik të një viti më parë, sot do të ishim dukshëm me diferencë me ekipet e tjera. Po kështu edhe të tjerë, duke filluar që nga Shehi, por që mendoj që duhet të marrë një vendim të vazhdojë pjesën e futbollit të luajtur se mund t’i japë akoma ekipit me eksperiencën e tij qoftë në portë, qoftë në fitimin e titujve.

Besoj që një pjesë e mirë e ekipit duhet riformatuar sepse besoj se nëse një pjesë e mirë e lojtarëve që luajtën sot kanë pasur minutazh të pakët në këtë pjesë të kampionatit, nuk ishte pasojë e stafit, por mendoj që aq kanë merituar.

Do bëjmë një riformatim të ekipit por me shumë kujdes, duke u nisur që baza të jetë nga ekipi që është aktualisht. Sepse për të ndërtuar një ekip nga fillimi duhet të fillosh një epokë për rezultate pak më të largëta. Meqë Skënderbeu ka objektiva për këtë periudhë të jetë në top-listën e kampionatit shqiptar, besoj se do të bëhet riformatim, por duke u nisur nga ekipi aktual”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"