Daja gjen “ekranin” e ri të Partizanit, tekniku i të kuqve ia beson “regjinë”…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2020 | 23:35

Daja gjen “ekranin” e ri të Partizanit, tekniku i të kuqve ia beson “regjinë”…

Trajneri Ilir Daja mbërriti te Partizani me plane të qarta, ku kishte bërë gati edhe një listë “big”-ësh për përforcimin e skuadrës, por embargoja e vendosur nga FIFA për merkaton në hyrje ka sjellë në skenë planin “B”. Ekrani është një term që trajneri Daja ka shumë qejf ta përmendë dhe e quan të rëndësishëm për skuadrën që ai drejton. Për ta bërë më të thjeshtë për sportdashësit, “ekrani” nënkupton lojtarin tipik me numrin gjashtë, ose thënë ndryshe futbollisti që pozicionohet para mbrojtjes dhe që nga këmbët e tij nis organizimi i fazës sulmuese të skuadrës. Me largimin e Bruno Telushit, Partizani mbeti pa “ekran” dhe sipas planeve të fillimit, ishte menduar që atë rol do ta mbulonte Sabien Lilaj.
Ilir Daja

Edhe pas vendimit përcjellës të KAS-it, bllokimi i merkatos mbeti në fuqi, kështu që Lilaj ngeli thjeshtë një tentativë dhe trajneri Daja i hyri punës eksperimentuese me grupin e trashëguar për të gjetur “ekranin” më të mirë të mundshëm. Puna kërkimore e stafit teknik për këtë pozicion ka nisur që ditën e parë, më 12 gusht, kur Partizani filloi përgatitjet verore. Tekniku kryeqytetas gjatë javëve të para ka provuar disa lojtarë, në mënyrë që të gjejë përshtatësin e duhur në këtë rol, i cili nuk mund të plotësohej me merkato. Ron Broja, Besnik Ferati, Eneid Kodra, Lukas Kardozo kanë qenë lojtarët që janë provuar më së shumti nga trajneri Daja për të zëvendësuar “ekranin e thyer”. Por puna eksperimentale e stafit ka të bëjë edhe me adaptimin e disa lojtarëve në role të reja, kryesisht në mbrojtje ku janë mangësitë më të mëdha në organikë.
besnik ferati
Ferati- Puna eksperimentale e trajnerit Daja po shkon drejt fundit dhe Besnik Ferati pritet të jetë “ekrani” i ri i Partizanit, nisur kjo edhe nga ndeshjet miqësore ku ai është aktivizuar më së shumti. Ky rol ka shumë peshë dhe përgjegjësi, pasi bëhet fjalë për regjisorin e skuadrës. Ilir Daja ka treguar se di të besojë dhe të promovojë elementin me moshë të re. E njëjta gjë do të ndodhë edhe te Partizani, ku regjinë e skuadrës pritet t’ia besojë 20-vjeçarit Besnik Ferati. Për mesfushorin nga Shkupi ky është sezoni i tretë me “demat”, por tani mendohet të ketë një përgjegjësi më të madhe, pasi shikohet si “truri” i lojës së 16 herë kampionëve të vendit. Partizani e afroi Feratin para dy vitesh nga të rinjtë e Shkupit, i cili ka luajtur edhe me kombëtaret e moshave të Maqedonisë së Veriut. Pikërisht për këtë rol që do të bëjë tani u afrua Ferati dhe në sezonin e fundit është provuar në ndonjë rast si “ekran”, por është përdorur edhe në role të tjera, kryesisht si mbrojtës i djathtë apo në qendër. Me besimin e trajnerit Daja, Partizani pritet që të promovojë një tjetër të ri me perspektivë. Me skemën 4-2-3-1 Ferati do të ketë pranë Brojën, i cili të njëjtën detyrë ka bërë edhe kur ishte Telushi.

besnik ferati

ILIR CARA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"