Daja: Gavazajn e kam parë si titullar, Muzaka luajti se Osmani kishte grip

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 19, 2017 | 21:00

Daja: Gavazajn e kam parë si titullar, Muzaka luajti se Osmani kishte grip

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, në deklaratën e tij pas ndeshjes për “Gol pas Goli”, u shpreh i kënaqur me lojën e shfaqur nga lojtarët e tij në fitoren e arritur ndaj Luftëtarit. Ai u tregua i sinqertë kur tregoi se Muzaka nuk do ta fillonte ndeshjen si titullar nëse Osmani nuk do të kishte një gjendje gripale që ia bënte të pamundur aktivizimin.

daja

Për ndeshjen

“Kishim përballë një ekip që ka qënë shumë mirë deri në këto momente dhe e vlerësuam maksimalisht. Bëmë 60 minuta shumë të mira dhe më pas administruam lojën sepse kishim dhe shenja lodhjeje për shkak të zhvillimit të 3 ndeshjeve në 10 ditë thuajse me të njëjtin formacion.”

Për eksperiencën në shfrytëzimin e rasteve

“Eksperienca ka të bëjë shumë sepse në 20 metrat e fundit janë lojtaret me krijimtarinë dhe eksperiencën e tyre që i zgjidhin situatat. Gjirokastra po depërtonte në zonën tonë, por nuk kishte raste të pastra. Ne e kishim studiuar manovrën e tyre sulmuese dhe mendoj se e kemi bërë mirë.”

Për Muzakën

“Gjergji është vlerë e shtuar për vetë eksperiencën që ka. Ka cilësi të mira sepse i jep shpejtësi sulmit dhe ka kontroll të mirë të topit. Edhe te Tirana na ka zgjidhur shpeshherë situatat ndaj dhashë ‘OK’ menjëherë sapo na u dha mundësia ta afronim.”

Për aktivizimin e Muzakës si titullar

“Të jem i vërtetë, që kur e kemi përgatitur këtë ndeshje kam biseduar me të dhe i kam thënë që mund të fillonte nga fillimi. Por sot Gjergji nuk do fillonte po mos ishte Osmani me gjendje gripale. Nëse ai shfaqet në këtë lloj performance, atëherë do jetë titullar në vazhdim.”

Për vështirësinë e përzgjedhjes së titullarëve

“Besoj se nuk është aq shumë e vështirë sepse të gjithë lojtarët do marrin atë që japin gjatë seancave stërvitore dhe gjatë ndeshjeve. E kemi bërë këtë gjë me Gavazajn sepse e kishim në ide të formacionit titullar në ndeshjen ndaj Vlorës, por atë e penalizoi më pas një dëmtim.”

Për performancën e Orelesit, Lilajt dhe Xhejmsit

“Orelesi në raport me tre ndeshjet e para ishte në ngritje, Lilaj gjithashtu. Edhe Xhejms ka ngritje, por ky i fundit ka 3-4 ditë i dëmtuar dhe ka vrapuar jashtë mase. Kjo ka ndikuar ndoshta në pjesën e spektaklit, por unë jam i kënaqur nga rendimenti i tyre.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"