Daja: Fitoret me ekipet e vogla të japin titullin, vazhdojmë të studiojmë Laçin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 9, 2017 | 15:36

Daja: Fitoret me ekipet e vogla të japin titullin, vazhdojmë të studiojmë Laçin

Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, e ka të qartë faktin se vlen vetëm të mendohet për ndeshjen e radhës dhe një gjë të tillë e ka bërë të ditur edhe në deklaratën e djeshme për mediat. Në prononcimin e tij, Daja kërkon përqendrim vetëm te Laçi për tri pikët e radhës, ndërsa thekson edhe një herë se titulli fitohet ndaj ekipeve të vogla.

Daja

“Ishin të nevojshme dy ditë pushimi pas gjithë kësaj periudhe të ngarkuar që nga vera që ekipi nuk ka pushuar aspak. Kemi dy lojtarë që vazhdojnë të jenë të impenjuar me kombëtaren siç janë Jashanica dhe Aliti dhe për këtë grupi i të disponueshmëve nuk është i plotë, por që jemi munduar të përgatitemi mirë për këtë takim. Vijmë me disa mungesa, kemi Nimagën që ende nuk është rikuperuar nga dëmtimi i pësuar ndaj Partizanit, si dhe Gavazajn që tashmë dihet që do të mungojë për disa ndeshje.

Kësaj pjese i shtohet edhe Nespor, i cili këtë javë nuk do të jetë me grupin. Ndërsa pjesa tjetër është në stërvitje dhe ka kapur ritmin e duhur pas atyre dy ditëve pushim. Kjo për vetë faktin se deri të shtunën kemi punuar me dy seanca stërvitore. Por edhe ndeshja e Kupës na shërbeu për t’u dhënë hapësirë lojtarëve që kanë qenë pak të aktivizuar.

Duhet të luftojmë fort me të gjitha ekipet, pasi çdo ndeshje vlen tri pikë dhe, në fund, të tilla takime të çojnë te titulli”, ka thënë Daja, i cili është shprehur se ka studiuar kundërshtarin.

“E kemi studiuar dhe vazhdojmë të mbledhim material që të kemi një informacion më të plotë. Do të shohim edhe video të tjera për të pasur më shumë të dhëna. Ndërsa Osmani dhe Radas vazhdojnë stërvitjen me grupin dhe kanë kaluar problemet tashmë. Mund të them se janë në 100% me grupin. Nga ana tjetër, edhe Sahiti ka një problem dhe nga dita e nesërme do të bashkohet me grupin pjesërisht”, ka mbyllur Daja.

LLAZI SARO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"