Daja akord për 2 vite në Vlorë, zbulohet lista e dëshirave të trajnerit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 21, 2018 | 23:31

Daja akord për 2 vite në Vlorë, zbulohet lista e dëshirave të trajnerit

Ilir Daja do të jetë për dy sezone te Flamurtari. Edhe pse ende nuk është hedhur firma, klubi i ka ofruar trajnerit të ri kontratë 2-vjeçare. Lajmi është konfirmuar për “Panorama Sport”, nga burime pranë klubit vlonjat. Në takimin që Daja zhvilloi dy ditë më parë me administratorin, mësohet se është diskutuar edhe për lojtarët që do të jenë pjesë e Flamurtarit gjatë këtij sezoni. Kështu veç rinovimit të Mustës, Useinit dhe Bushiçit, “timonieri” i ri kërkon që të ketë në organikë edhe një sulmues si Alvesh.

dajaaaaaaaa

Braziliani pëlqehet nga Daja, i cili ka kërkuar që ta ketë pjesë të skuadrës për sezonin e ri dhe këtë kërkesë ia ka bërë Sinan Idrizit. Tashmë mbetet topi te kreu i klubit, nëse do ta plotësojë apo jo këtë kërkesë të trajnerit. Gjasat janë që klubi të vendoset në lëvizje, duke kontaktuar me sulmuesin dhe t’i bëjë atij ofertën për një rinovim të mundshëm. Burime pranë klubit bëjnë me dije se brenda kësaj jave drejtuesit do të kontaktojnë me Alveshin. Nëse vjen edhe firma, atëherë dëshira e parë e trajnerit do të plotësohej.

ALVESH

Danilo Alvesh vijon që ta ketë Flamurtarin zgjedhje të parë. I kontaktuar nga “Panorama Sport”, sulmuesi deklaroi se është duke shqyrtuar disa oferta jashtë Shqipërisë, ndërsa nëse do të zgjedhë vendin tonë, patjetër që do të rikthehet në Vlorë. “Akoma nuk kam vendosur për të ardhmen time. Siç e kam theksuar edhe më parë, jam duke shqyrtuar disa oferta që më kanë ardhur nga jashtë Shqipërisë. I ndjek çdo ditë zhvillimet në kampionatin shqiptar dhe në veçanti te Flamurtari. Nëse do të kthehem në Shqipëri, patjetër që do të zgjedh Vlorën. Familja ime dhe unë jemi shumë të dashuruar me Shqipërinë dhe Flamurtarin. Unë punova 2 vjet e gjysmë te Flamurtari, është një kohë e gjatë. Aktualisht, jam duke parë edhe disa oferta që më kanë ardhur nga disa kampionate jashtë Shqipërisë dhe do të vendos në vazhdim”, tha Alvesh. Sulmuesi brazilian ka edhe një vlerësim për trajnerin e ri të Flamurtarit, Ilir Daja. “Është një zgjedhje shumë e mirë. Daja është trajner me eksperiencë dhe kampion. Uroj që këtë sukses që pati me Skënderbeun ta ketë edhe me Flamurtarin”, tha Alvesh.

MERKATO

Ilir Daja nis punën për merkaton. Trajneri ka biseduar me administratorin për lojtarët që kërkon të afrojë në Vlorë. Një pjesë e mirë e tyre, ai i ka pasur edhe te Skënderbeu. Tekniku mund që të sjellë te Flamurtari, tre ose katër lojtarë që ka drejtuar në Korçë. Edhe pse nuk ka asgjë zyrtare rreth emrave, në ambientin kuqezi kanë nisur që të qarkullojnë disa. Bëhet fjalë për Marko Radasin, Gledi Micin dhe Gjergj Muzakën. Gjithsesi, mbetet gjithçka për t’u parë.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"