Daja fiksohet me mbrojtjen, ja si nisi java për Skënderbeun

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Dhjetor 3, 2019 | 17:10

FB Kategoria Superiore Skenderbeu Të fundit

Daja fiksohet me mbrojtjen, ja si nisi java për Skënderbeun

Ndeshjet e luajtura deri në këtë pikë të sezonit dhe mbi të gjitha rezultatet e prodhuara në disa prej tyre, duket se kanë shkaktuar “alarm” në kampin bardhekuq për sa u përket ndryshimeve që duhet të ketë ekipi. 

skenderbeu

Ndryshime që kanë të bëjnë kryesisht me performancën defensive të ekipit. Me të tilla udhëzime ka nisur ditën e djeshme seanca stërvitore e Skënderbeut, atje ku trajneri Ilir Daja ka qenë i qartë në kërkesat e tij. Numri një i pankinës korçare ka nisur gjithçka me një përshkrim të punës te lojtarët e tij, duke u shpjeguar se seanca do të përqendrohet kryesisht në aspektin mbrojtës.

Dhe pikërisht kështu ndodhi, kur pas nxehmjes së zakonshme dhe disa ushtrimeve specifike, vëmendja u përqendrua tek ushtrime konkrete në zbatimin e situatave të ndryshme. Për më shumë se 30 minuta, trajneri i Skënderbeut ka “ngujuar” ekipin e tij në detyra defensive.

KËRKESAT

Fillimisht me ushtrime që ndërtoheshin nga aksione të rrjedhshme, atje ku trajneri ka kërkuar impenjimin e të gjithë ekipit në këtë fazë të lojës. Mbyllja e zonave në kohë dhe orientimi në hapësirë i ekipit ishin kërkesat e trajnerit bardhekuq. Më pas Daja ka zgjedhur të forcojë edhe vendosjen e Skënderbeut në goditje standarde për të shmangur befasitë në të tilla raste.

Pas shumë provash, më pas ekipi ka punuar me topin edhe në qarkullim të shpejtë të lojës me jo më shumë se dy takime, duke dashur t’u japë shpejtësi aksioneve të Skënderbeut. Në fund, gjithçka është mbyllur me një minindeshje brenda ekipit, ku Daja ka miksuar të dyja grupet, duke mos dashur të ndajë që në ditën e parë formacionin anti-Teuta, pavarësisht se pjesën më të madhe të titullarëve trajneri e ka të fiksuar. Ndeshja ndaj durrsakëve do të luhet të dielën në stadiumin “Niko Dovana”.

Kujtojmë që në fazën e parë Skënderbeu arriti të fitonte minimalisht 1-0 falë një goli të Blerim Krasniqit. Shpesh transfertat me Teutën kanë qenë të vështira për korçarët, që gjithsesi në këto 10 sezonet e fundit kanë dominuar. Skënderbeu vjen në këtë takim pas dy fitoreve radhazi, fillimisht në transfertë me Bylisin e më pas në shtëpi ndaj Tiranës.

Llazi Saro




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com