Daja e merr me humor: Ia hodha paq, në të Parën paskan… nishan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2017 | 19:28

Daja e merr me humor: Ia hodha paq, në të Parën paskan… nishan

Asion Daja e merr me sportivet incidentin e ndodhur në Pogradec. Edhe pse ndihet me fat që gjithçka mbaroi me dy të qepura në qepallë, mesfushori nuk e humb sensin e humorit. Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ai rrëfen që tifozi e goditi me çakmak dhe sapo ka dalë nga loja ka marrë menjëherë të ëmën në telefon, pasi donte që ta qetësonte.

daja

Asion, çfarë ndodhi në minutën e 66?

Nuk e mora vesh as vetë, thjesht ndjeva një goditje në qepallë, pak centimetra larg syrit. Edhe pse e rrezikshme, për fat mbeti me aq, edhe pse përfundova me dy të qepura. Nuk është se ishte ndonjë moment tensioni apo ndonjë nervozizëm. Dhe as nuk e vura re se me çfarë më goditën. Vetëm më pas më thanë që ishte çakmak.

Ju ka ndodhur më parë ndonjë situatë e ngjashme?

Që të goditem nga tifozët, jo. Hera e parë. Por më përpara na ka ndodhur kur luanim në lagje (qesh). S’më bën përshtypje.

Domethënë parashikoni një sezon realisht “të nxehtë” në të Parën?

Në momentin që kam vendosur që të qëndroj te Tirona, i kam marrë parasysh të gjitha.

daja pergjakur

A u çuditët që ky incident ndodhi pikërisht në Pogradec?

Këto ndodhin edhe në Superiore në fakt, por në të Parën paskan “nishan” (qesh). Ta bëjmë pak bisedën më serioze. Më erdhi keq në fakt, pasi Pogradeci më pëlqen shumë si qytet dhe ka njerëz shumë të mirë. Shpeshherë vij këtu për t’u qetësuar në fundjavë me familjen. Më vjen keq vetëm që i prishin imazhin Pogradecit.

A u bënë merak familjarët dhe sa “sms” e thirrje të humbura kishe në telefon pas ndeshjes?

Normal, kishte shumë. Gjëja e parë që mendova kur u gjakosa ishte mamaja, u tremba pasi ajo do bëhej merak. Ndaj direkt sa shkova në stol e telefonova që ta qetësoja.

Morët vesh a u shoqërua tifozi që ju goditi, pasi nga sa pamë asnjë nga policët nuk ndërhyri?

S’e di dhe sinqerisht as nuk më intereson. Ndoshta dhe s’ka pasur për qëllim që të më godasë. Siç e thashë edhe më lart, më vjen keq se prishin imazhin e një qyteti. Kisha dëgjuar që Pogradeci luan futboll të bukur dhe kishim ardhur për të luajtur në fushë.

Pasi u mjekuat, a ju thanë që mos futeshit më në fushë apo insistuat ju që të qëndronit?

Kjo është pyetje normale që bëhet. Por s’mund të dilja në ato momente kulmore të ndeshjes. Trajneri bashkë me stafin e panë të arsyeshme më vonë që të lija fushën, pasi ndeshja shkoj 3-0 dhe kundërshtari mbeti me 10 lojtarë.

daja

Duke qenë se keni shumë të huaj në ekip, duke filluar nga trajneri e për të kaluar te lojtaret, mendoni se ky incident do t’i frikësojë për vazhdimësinë?

Mendoj që kjo do t’i bëjë edhe më të fortë e më të përgatitur për këtë sfidë që kemi përpara. Por mendoj që të huajt në ekipin tonë kanë shumë karakter dhe mbi të gjitha kanë eksperiencë, pastaj mund të kenë parë më keq se kaq.

A ju çliroi fitorja 3-0 dhe sidomos pas kritikave për lojën jo bindëse në Kupë me Besën dhe me Ilirinë?

Ndoshta është vetëm fillimi dhe sa të harmonizohemi me njëri-tjetrin do dalim në lojën tonë, pasi duhet thënë që 50% e ekipit është rinovuar. E rëndësishme është që kemi fituar. Por, kur veç triumfit, prodhon edhe në lojë, shijon më shumë.

Është fitorja e parë në transfertë pas 19 muajsh në kampionat, thyerja e tersit mund të jetë një ogur i mirë për të ardhmen?

Tani s’kemi më kohë për të menduar për shifrat. Na duhet fitorja në çdo ndeshje, pasi ky është një kampionat që ka vështirësitë e veta.

ADELA MERKO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"