Daja “bllokon” Ditën dhe “skanon” merkaton: Ka kontratë me Skënderbeun, po pres për …

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Janar 17, 2020 | 22:24

FB Kategoria Superiore Skenderbeu Të fundit

Daja “bllokon” Ditën dhe “skanon” merkaton: Ka kontratë me Skënderbeun, po pres për …

Ilir Daja paralajmëron se Skënderbeu është gati për të rinisur sezonin. Merkatoja vërtetë nuk ka pasur ndonjë “bujë” të madhe dhe as janë mbushur që të gjitha boshllëqet, por trajneri mendon se mund t’ia dalë me grupin që ka aktualisht në organikë.

Ilir Daja

Në një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, numri një i stolit konfirmon se Pusi dhe Zisi mund të shkojnë drejt firmës, ndërsa për Sidibenë po pret zgjidhje nga klubi. Nuk do të dëshironte një largim të Blerim Krasniqit, e aq më pak të Bruno Ditës. Thekson se mesfushori ka kontratë me Skënderbeun dhe i duket e tepërt që një tjetër klub t’i ketë bërë ofertë në të tilla kushte.

Minifaza është në ditët e saj të fundit, a është i kënaqur Daja me atë që ka bërë deri më tani? 

Ka qenë një minifazë, e cila do të na ndihmojë mjaft për të vijuar pjesën tjetër të kampionatit. Jemi munduar të marrim më të mirën nga kjo periudhë kalimtare dhe besoj se do të ecim mjaft mirë. E rëndësishme është që nuk kemi pasur asnjë dëmtim, ndonëse kemi zhvilluar nga dy seanca stërvitore në ditë dhe kemi kryer disa teste miqësore.

A mundët që të rikuperonin mungesën e fazës në nisje të sezonit?

Kemi pasur jo pak problem të shkaktuara prej mungesës së përgatitjeve në fillim të sezonit. Ekipi nuk ka qenë gati për të startuar kampionatin dhe efektet u ndjen veçanërisht në javët e para. Jemi munduar të rikuperojmë rrugës, por që nuk kemi pasur çfarë të bënim më shumë. Tani besoj se ekipi ka bërë mirë këtë periudhë dhe do të jemi shumë më ndryshe. Jemi të ngarkuar, por mendoj se do të jemi gati për të rinisur garën.

ilir daja

Merkatoja ka qenë “kursimtare”, a jeni i kënaqur me organikën që keni në dispozicion? 

Një trajner asnjëherë nuk është i kënaqur me lojtarët që ka në dispozicion, pasi gjithmonë dhe gjithkund ekziston lakmia për të pasur më shumë cilësi. E megjithatë, besoj se kemi bërë mirë, për sa na ka lejuar situata dhe kjo hapësirë transferimesh. E kemi thënë shpesh që janari nuk të jep shumë mundësi.

Është e vështirë që të bësh goditje të mëdha dhe cilësore në këtë periudhe, pasi nuk ka lojtarë të lirë. Është një merkato që të lejon të mbushësh hapësirat që ke pasur në pjesën e kaluar të sezonit. Dhe ne, për hir të së vërtetës, kemi pasur disa boshllëqe që duhet t’i mbushnim me çdo kusht.

Si qëndron situata me Pusin, Zisin dhe Sidibenë? 

Atëherë, lojtarët kanë specifika të ndryshme për sa i përket kësaj teme. Pusi dhe Zisi janë bashkuar me ne dhe unë po i shoh se sa cilësisht mund të na ndihmojnë. Mund të them se janë ende në provë dhe pas disa ditësh, do të dalim në konkluzionin se çfarë do të zgjedhim.

Nuk na folët për Sidibenë…? 

Për sa i përket Sidibes, klubi ka kërkuar afrimin e tij dhe ne ende nuk e kemi bërë pjesë të seancave stërvitore me grupin, pasi ka një çështje për të zgjidhur. Në shenjë respekti të klubit lezhjan dhe pretendimeve të tyre, jemi limituar të mos e përfshimë me grupin lojtarin. Normalisht që presim një zgjidhje, pasi është një element që mund të na vlejë në vijimësi.

daja

Nga ana tjetër, flitet edhe për largime. A do e mirëpriste Daja një largim të Krasniqit?

Të them të drejtën, nuk jam në dijeni të tratativave në dalje, pasi kjo është një pjesë që i takon klubit dhe drejtuesve. Personalisht do të doja të mos kisha rrjedhje nga organikën që kam momentalisht në dispozicion. Por kur bëhet fjalë për financa dhe transferime, e di më mirë presidenti se çfarë duhet të bëjë. Janë llogari të klubit këto.

Bruno Dita lakohet gjithnjë e më shumë te Teuta dhe ka kërkuar zgjidhjen e kontratës me Skënderbeun. Ka dijeni Daja për këtë histori? 

Është një çështje tjetër që i përket klubit. Unë di të them se kur një lojtar është nën kontratë, nuk mund t’i bësh ofertë. Nga ana tjetër, më takon të them se të gjithë që kanë një kontratë me Skënderbeun, do të qëndrojnë këtu. Dhe kur them të gjithë, e kam fjalën edhe për stafin teknik.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com