Daja: Abazaj do na ndihmonte, jemi gati për përmbysje në Vlorë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 18, 2018 | 11:17

Daja: Abazaj do na ndihmonte, jemi gati për përmbysje në Vlorë

Skënderbeu është gati për të luajtur aktin e dytë të Kupës së Shqipërisë në gjysmëfinalen e kthimit që do të luhet në Vlorë. Trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja, duket se po përgatit në maksimum ekipin për të arritur kualifikimin në finale të këtij kompeticioni. Në një intervistë të dhënë para ndeshjes, numri një i pankinës korçare shpreh bindjen se ekipi i tij i ka të gjitha mundësitë që të kalojë në finale, madje të fitojë të dy kompeticionet.
daja6-470x313
Daja, Skënderbeu luan ndeshjen e kthimit në Vlorë. Sa i vështirë është ky takim?
Do të thosha është një 90- minutësh i vështirë që na pret për t’u luajtur, kjo për faktin se të dy ekipet kanë objektivat e tyre. Ne nga njëra anë vijmë nga një humbje në ndeshjen e parë, por me një reflektim të duhur në takimin e pas disa ditëve në kampionat. Ndërsa, në anën tjetër Flamurtari është një ekip që ka objektivat e veta edhe në Kupë. Për këtë parashikohet një përballje e fortë.

Humbja 0-1 në Korçë është thikë me dy presa, duke parë se çdo fitore ju kualifikon?

Ne nuk e mendojmë fare humbjen e ndeshjes së parë dhe do të hyjmë me besim në fushë se mund të bëjmë përmbysjen dhe të kualifikohemi në finale të Kupës. Një fitore e jona do të na kualifikonte dhe kjo mendoj se është ajo që duhet të bëjmë. E kemi thënë që në fillim të gjysmëfinales së parë se gjithçka do të vendoset në 180 minuta dhe jo në 90, prandaj kemi dhe një ndeshje për të luajtur.

Çfarë duhet të bëjë Skënderbeu për t’u kualifikuar?

Skënderbeu duhet të bëjë lojën e vet, asgjë më shumë se ajo që bëri në ndeshjen e luajtur në kampionat përballë Flamurtarit në Vlorë. Shkojmë në këtë takim, siç e thashë edhe më sipër për të marrë maksimumin dhe për të arritur në finale dhe do të tentojmë ta bëjmë deri në fund. Pavarësisht mungesave që kemi në këtë takim do të përgatisim në maksimum këtë ndeshje për të kaluar më tej.

Pa Shehin, Xhejmsin dhe Ditën do të jetë e vështirë?

Sigurisht që janë tri mungesa të rëndësishme për ne, pasi janë lojtarë cilësorë, por do të mundohemi të bëjmë më të mirën edhe pa ta. Shehi do të jetë me ne në stol për të dhënë mbështetjen e tij prej kapiteni, ndërsa Dita dhe Xhejms për shkak të problemeve fizike nuk do të jenë në këtë takim. Gjithsesi në fushë do të jetë një ekip i karikuar.

Daja, a jeni i bindur se këtë sezon i fitoni të dy trofetë?

Të jem i sinqertë, trofetë nuk i fiton as Daja dhe asnjëri në veçanti, por bashkëpunimi i mirë mes të gjithë komponentëve që formojnë këtë klub. Ne jemi duke ndjekur objektivat tona dhe pa dyshim që jemi mirë në bazë të atyre çfarë kemi treguar. Pa dyshim që jemi ekipi më i mirë në vend dhe nuk ka pse të mos i fitojmë të dy trofetë sezonalë.

Për ta mbyllur, Abazaj largohet tek Anderlehti. Ju vjen keq që nuk e patët asnjë ndeshje në ekip?

Vlerat e Abazajt janë të padiskutueshme, pasi është një lojtar cilësor dhe do të më vinte mirë ta kisha në ekip të paktën për Europën. Por, gjithsesi mendoj se është një arritje e klubit në këtë transferim dhe një hap i madh përpara për vetë lojtarin që gjen një kampionat dhe një ekip më cilësor se kampionati Shqiptar. Jam i lumtur për të dhe i uroj suksese.

Llazi Saro

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"