Dabulla: Tirana është buzë humnerës, por do shpëtojë

Panorama Sport | Gazeta me e shitur sportive ne vend

Postuar: Maj 13, 2017 | 12:51

Dabulla: Tirana është buzë humnerës, por do shpëtojë

Rezart Dabulla nuk dëshiron që ta mendojë rënien e Tiranës, edhe pse thellë-thellë e pranon se rreziku është i madh. Ish-mbrojtësi thekson se ka ardhur koha që lojtarët të kuptojnë rëndësinë e fanellës që mbajnë veshur, nëse nuk duan që të futen në historinë e zezë të këtij klubi.

Dabulla Tirana

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ai shpreson vetëm që gara të mbyllet pa pazare dhe gjithkush të marrë meritën.

Sa e ka “tronditur” garën ai barazim mes Partizanit dhe Laçit?

Ishte një rezultat që nuk pritej. Veçse shpresoj që deri në fund verdiktet të vendosen në fushë. E thënë ndryshe, pres që të luhet pastër dhe drejt. Dhe, në rast se për shembull bie Tirana, të mos ua vendosim fajin aleancave.

dabulla

Tirana mos ndoshta i ka bërë pak keq llogaritë?

Tirana e ka shpëtimin në dorë. Nuk ka pse pret nga të tjerët. Nëse i fiton të tria, mbijeton.

A mund t’i fitojë Tirana të tria ndeshjet?

Shansin matematikor e ka. Janë në buzë të humnerës, ky është realiteti. Por, fakti që e kanë vetë në dorë fatin e tyre është “bonus”. Se sa është e zonja, kjo është çështje tjetër.

Dabulla te Lushnja

Edhe deri më tani vetë e kanë pasur në dorë, por renditen të 8-ët…

Gabimet janë bërë pa fund. Por, shpresa vdes e fundit. E kanë vetë në dorë që të largojnë këtë ëndërr të keqe, që e kanë afër syve. Nëse ia del, do ishte fitore e madhe.

Deri pak javësh, sytë i kishin te Kupa, sa vlen “pakti” i bërë për të marrë këtë trofe, kur rrezikohet rënia?

Nuk e di, këtë e dinë më mirë drejtuesit. Unë di të them që trofeu s’ka vlerë nëse bien. Askush nuk e do Europën. Edhe në 2014-ën rrezikonin, por atëherë kishin cilësi dhe grup më të plotë. Tani kanë të rinj të talentuar, por me pak eksperiencë. Madje, pikët e pamarra janë edhe pasojë e mungesës së përvojës. OK, po prodhohen talente. Po nëse bie, ai lojtar s’ka më vlerë. Është një “damkë” e madhe për të gjithë protagonistët.

Tirana-Partizani

A mund të marrin pikë në Korçë?

Skënderbeu do të mundohet që të marrë pikët e veta, por kjo s’do të thotë që Tirana të luajë si e mundur. Nuk është çudi që t’ia dalin. Kujt ia mori mendja që Partizani ndalej ndaj Laçit?!

Kush është më e rrezikuara sipas jush?

Njësoj më duket, nuk di ta them. Ashtu si mori Laçi barazim, mund të ndodhin edhe blofe apo surpriza të tjera. Ndaj nuk ka vend për parashikim për këto 270 minuta. Ndaj shpresoj që të ketë pastërti deri në fund.

Tirana-Skenderbeu

Çfarë duhet të bëjnë ndryshe bardheblutë?

Secili nga lojtarët duhet të bëjë një vetëvlerësim, pra t’i kërkojë llogari vetes. Të bindin veten se ku po luajnë dhe fanellën e kujt ekipi kanë veshur. Mua nuk më shkon ndër mend që Tirana do të bjerë, nuk ma do shpirti dhe as zemra. Të shpresojmë që ky fat të mos jetë i Tiranës. Unë kam besim se kjo punë nuk do të shkojë në fatalitet.

ADELA MERKO






www.minuta90.com