Çyrbja: Të shpërfillim faktin që Kukësi është ekipi kampion dhe të kthejmë nderin në vend

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 15, 2017 | 11:09

Çyrbja: Të shpërfillim faktin që Kukësi është ekipi kampion dhe të kthejmë nderin në vend

Mesfushori i Teutës, Arbër Çyrbja, kërkon të hidhet pas krahëve humbja dramatike me Partizanin dhe skuadra të përqendrohet totalisht te sfida e radhës kundër Kukësit, e cila do të zhvillohet mesditën e së hënës në “Zeqir Ymeri”. Çyrbja, një ndër lojtarët më produktivë të skuadrës durrsake, ka shkëlqyer përgjatë ndeshjeve të fundit, pavarësisht se skuadra e tij nuk ka arritur të fitojë. Mesfushori pret dhe premton që skuadra të rikthehet te rezultatet pozitive, ndërsa thekson se në Kukës do shkojnë për tri pikë.

cyrbja

“Jemi shumë të mërzitur me rezultatin e ndeshjes së fundit, por duhet të gjejmë forca dhe të shikojmë përpara. Nuk ka kohë për të humbur duke bërë viktimën, por të shkojmë në Kukës dhe të kthejmë nderin në vend. Tri ndeshje pa fitore është një periudhë e gjatë.

Nuk na falen të tjera gabime dhe duhet të jemi më të vëmendshëm në fushën e lojës. Jemi koshientë se luajmë në transfertë dhe përballë skuadrës kampione në fuqi, por këto detaje duhet t’i shpërfillim dhe të jemi të përqendruar dhe të përgatitur për të bërë një ndeshje të madhe. Pavarësisht rezultateve të fundit, skuadra do të udhëtojë drejt Kukësit me qëllimin për ta fituar ndeshjen”, u shpreh Çyrbja.

Mesfushori bëri një analizë të tërthortë të skuadrës në pesë javët e para të kampionatit. Çyrbja e konsideron sezonin të nisur mirë, gjatë dy javëve të para, por skuadra humbi ekuilibrin përgjatë tri ndeshjeve të fundit. Sipas tij, Teuta po zhvillon lojë ofensive dhe po luan pa frikë ndaj çdo kundërshtari, por çekuilibrohet përgjatë minutave të fundit.

JETON REXHMATI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"