Çyrbja “rezervon” kthesën: Ia dimë pikat e dobëta Laçit, kemi humbur me skuadrat për titull

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2017 | 10:17

Çyrbja “rezervon” kthesën: Ia dimë pikat e dobëta Laçit, kemi humbur me skuadrat për titull

Teuta nuk mendon për asnjë rezultat tjetër, përveç fitores. Durrsakët duan vetëm kthesën ndaj Laçit. Humbjet e fundit duket se janë hedhur pas krahëve dhe lojtarët janë të bindur se kundër kurbinasve do të shënojnë trepikëshin e munguar prej më shumë e një muaji. Në deklaratën e dhënë për “Panorama Sport”, mesfushori i krahut, Arbër Çyrbja, theksoi se durrsakët nuk kanë asnjë alternativë tjetër përveç triumfit në “Niko Dovana”.

cyrbja

“Vijmë nga një moment tepër negativ, ndaj ndeshjen me Laçin e kemi përgatitur me shumë kujdes. Do të futemi në fushë me qëllimin e vetëm për ta fituar, pasi rrugë tjetër nuk kemi. Jemi shumë të karikuar dhe duhet pranuar se ky duel mund të konsiderohet edhe si për ‘jetë a vdekje’. Gjatë gjithë javës jemi fokusuar vetëm te kundërshtari, trajneri na i ka treguar të gjitha pikat e dobëta dhe të forta të kundërshtarit dhe, në këtë mënyrë, do ta kemi më të lehtë arritjen e fitores”, u shpreh fillimisht ai.

MBROJTJA

Teuta është ekipi që ka pësuar më shumë gola në këtë edicion të Superiores. Në krahasim me rivalët për Europën, durrsakët kanë pësuar më shumë se dyfishi i golave të tyre. Megjithatë, Çyrbja beson se ky moment do të kalojë.

“Është e vërtetë që kemi pësuar shumë gola. Mendoj se është më tepër psikologjike, pasi ne gjithmonë kemi shënuar të parët. Të gjithë kemi gabuar, pasi kur ekipi fiton vlerësimet nuk i merr vetëm sulmi apo mbrojtja, por i gjithë grupi. Duhet të tregohemi vigjilentë dhe ta kemi sa më shumë topin në zotërim”, theksoi mesfushori.

DIFERENCAT

I pyetur për diferencën me rivalët, autori i golit të fitores në Shkodër u shpreh: “Pikët që kemi lënë na kanë dëmtuar shumë, por kemi humbur me skuadra që synojnë titullin, kështu që gara është e hapur. Pastaj akoma nuk është mbyllur faza e parë e kampionatit, kemi shumë ndeshje përpara.

Ne duhet të japim maksimumin në fushë, nuk duhet të shikojmë kë kemi përballë apo sa pikë ka kundërshtari. Ne duhet të mendojmë vetëm për ndeshjen e radhës dhe të zbatojmë me përpikëri detyrat e stafit teknik. Në këtë mënyrë do të ngjitemi në klasifikim, jam i bindur”.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"