Çyrbja: Kënaqësi të lakohemi nga Partizani, Europa është synimi ynë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 13, 2017 | 12:05

Çyrbja: Kënaqësi të lakohemi nga Partizani, Europa është synimi ynë

Kupa e Shqipërisë është objektivi madhor i “Djemve të detit” dhe në takimin e sotëm me Kamzën kërkohet fitorja për të kaluar në turin tjetër. Barazimi 1-1 i arritur në Kamzë konsiderohet një rezultat pozitiv për Teutën, me mesfushorin e krahut, Arbër Çyrbja, që mendon se durrsakët i kanë të gjitha shanset për t’i thyer kamzalinjtë.

cyrbja

“Nuk kemi pasur shumë kohë në dispozicion për ta përgatitur këtë takim, por gjatë dy seancave kemi punuar fort. I dimë pikat e dobëta dhe të forta të Kamzës dhe besoj se, nëse tregohemi pragmatistë, do të kalojmë në turin tjetër. I kemi të gjitha shanset për të fituar dhe Kupa është objektivi ynë”, tha 24-vjeçari për “Panorama Sport”.

Kupa – “Kupa është një kompeticion tjetër dhe duhet të futemi në fushë me mendjen vetëm te ky trofe. Qëllimi jonë është që në sezonin tjetër të luajmë në Europë dhe për ta bërë këtë, duhet të fitojmë Kupën”.

Presion – “Në çdo fushë të jetës ka presion, e rëndësishme është ta menaxhosh për të arritur qëllimin. Këtu është një ambient i qetë pavarësisht rezultateve të fundit”.

Partizani – “Realisht të vjen mirë kur dëgjon që një klub tjetër të vlerëson publikisht për ata që ti ke bërë për ekipin tënd. Detyra ime është të vazhdoj të punoj fort dhe të jap maksimumin për të ndihmuar Teutën. Largimi në janar? Të them të drejtën, këtë pjesë nuk e kam menduar. Unë jam totalisht i fokusuar te Teuta dhe do të jap maksimumin për këtë fanellë. E rëndësishme për mua është që skuadra të ketë rezultate pozitive, këto gjëra i dinë më mirë drejtuesit”.

Mbrojtja – “Ky është problemi më i madh që ne kemi dhe duhet ta rregullojmë me patjetër sepse jemi ende në kohë. Trajneri ka punuar shumë gjatë kësaj periudhe me këtë repart për gabimet që janë bërë. Mendoj se eksperienca dhe pasiguria janë dy elementët kryesorë që pësojmë kaq shumë. Duhet të kemi më tepër besim te vetja dhe shoku i skuadrës”, ka deklaruar Çyrbja.

Kupa – Trajneri Magani ka punuar dje për aspektin tekniko-taktik para Kamzës. Drejtuesit kanë vendosur që dyert e stadiumit të jenë të hapura për të gjithë tifozët durrsakë.

DRILON XHEPOLLARI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"