Çyrbja e di vështirësinë në Korçë: Edhe një barazim vlen kundër Skënderbeut

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 22, 2020 | 10:29

Çyrbja e di vështirësinë në Korçë: Edhe një barazim vlen kundër Skënderbeut

Teuta ka një sfidë mjaft delikate në javën e 23-të të Superiores, aty ku përballë do të ketë skuadrën e Skënderbeut. Në prag të këtij takimi për mediat ka folur mesfushori Arbër Çyrbja, i cili u shpreh se skuadra durrsake luan çdo ndeshje për fitore, pavarësisht formës në të cilën gjendet.cyrbja

Çyrbja nuk mendon se skuadra korçare ka humbur në cilësi, pasi ka lojtarë mjaft të mirë. Mesfushori është i kënaqur me ecurinë e ekipit të tij deri tani, prandaj nuk ka dyshime se në stadiumin “Skënderbeu” mund të bëjnë shumë mirë.

A mendoni se do të keni vazhdimësi pozitive ndaj Skënderbeut?

Vazhdimësia është e vështirë në futboll. Ajo është shumë e rëndësishme, prandaj ne gjithmonë flasim që t’i marrim ndeshjet një nga një. Kështu mund të ruajmë performancën dhe rezultatet pozitive në të njëjtën kohë. Për fat të mirë, deri tani gjërat kanë shkuar si duhet dhe shpresojmë të vazhdojmë kështu.

Me çfarë synimi shkoni në Korçë?

Sido që të jetë gjendja e Teutës, në çdo ndeshje shkojmë për fitore edhe pse janë 3 rezultate në lojë. Do të shkojmë për të marrë maksimumin, por edhe barazimi do të ishte mirë. Mjafton të mos humbasim.

Cila është situata e dëmtimeve në skuadër?

Gjatë këtyre ditëve kemi pasur lojtarë që kanë qenë me grip. Përveç Vilës të konfirmuar kishim edhe lojtarë të tjerë. Stafi u mundua që zëvendësuesit të mos i ngarkojë në anën psikologjike. Për fat të mirë janë rikthyer 2 lojtarë të rëndësishëm. Frashëri ka një gjendje më të mirë, ndërsa Aleksi vazhdon të testohet, por është bashkuar me grupin dhe do jetë gati deri ditën e ndeshjes.cyrbja teuta

Në fazën e parë në Korçë jeni mundur. Çfarë duhet të bëni më shumë tani që ta mundni Skënderbeun në shtëpinë e tij?

Synimet tona janë për të fituar çdo ndeshje. Kemi respekt për Skënderbeun, por nuk bën përjashtim. Skënderbeu është kompetitiv si sezonet e kaluara. Ka lojtarë që kanë qenë edhe vjet pjesë e ekipit, pavarësisht se nuk kanë pasur shumë minuta në dispozicion. Kanë një grup të talentuar dhe ka bërë mirë deri tani në kampionat. I respektojmë për aq sa u takon, por duhet të respektojmë veten më shumë. Do të dalim me rezultat shumë të mirë nëse jemi këmbëngulës.

Skënderbeu së fundmi barazoi me Tiranën. Ju tremb si kundërshtar?

Ndeshjet janë të ndryshme ndaj kundërshtarëve të ndryshëm. Nuk shikohet barazimi i Skënderbeut si pika e dobët e jona. Barazimi i Skënderbeut me Tiranën u takon korçarëve. Nuk marr përsipër ta analizoj atë. Ne mundohemi ta ndërtojmë përballjen e radhës mbi bazën e situatës në skuadrën tonë, jo duke pasur pika referimi të jashtme. Është mirë ta shikosh ndeshjen mes Tiranës dhe Skënderbeut, për të studiuar kundërshtarin, por jo se na ndikon në ndonjë aspekt tjetër. Jemi gati për takimin, e kemi studiuar lojën e Skënderbeut ndaj Tiranës, por edhe në momente të tjera më të mira të tij. Gjithsesi, është një ndeshje e radhës, e re dhe nuk ka të bëjë me të kaluarën.

Zamir Qypi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"