Çyrbja: Absurde të flasim për titull që tani, do jemi kundërshtari më i fortë për të gjithë ekipet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2017 | 15:18

Çyrbja: Absurde të flasim për titull që tani, do jemi kundërshtari më i fortë për të gjithë ekipet

Mesfushori i Teutës, Arbër Çyrbja, e ka konsideruar me shumë vlera fitoren në transfertën e vështirë të Shkodrës. Skuadra durrsake mori tri pikë të arta, duke udhëhequr renditjen e Superiores pas dy javëve të para. Lojtari i krahut të djathtë mbushi dje 24 vjeç, duke i bërë kështu vetes një dhuratë për datëlindje pas atij goli fantastik në Shkodër.

cyrbja

Në një bisedë për “Panorama Sport”, Çyrbja shprehet optimist për vazhdimësinë e skuadrës. Sipas tij, ky është vetëm fillimi dhe Teuta ka mundësi për të bërë më tepër në javët e ardhshme.

“Ishte një ndeshje shumë e vështirë, pasi dihen vlerat e Vllaznisë. Ne e kishim vlerësuar dhe ishim përgatitur mirë për këtë takim, por fatmirësisht ia dolëm mbanë të dilnim me tri pikë nga ‘Loro Boriçi’. Jemi shumë të lumtur dhe të kënaqur për këtë fakt.

E gjithë skuadra luftoi dhe zhvilloi një ndeshje super. Të gjithë kanë meritë për fitoren. Ajo që e bën më të bukur këtë fitore për ne është fakti se e morëm në një transfertë shumë të vështirë dhe përballë një kundërshtari si Vllaznia”, u shpreh fillimisht shijakasi Çyrbja për gazetën.

MENTALITETI

Edhe pse janë zhvilluar vetëm dy ndeshje kampionat, mesfushori ka bindjen se Teuta do të vazhdojë me ecurinë e rezultateve pozitive. Kalendari i rezervon Teutës përballjen me Flamurtarin të dielën në Durrës.

“E kemi nisur me këmbën e mbarë kampionatin, duke fituar të dyja ndeshjet e para. Unë mendoj se këtë sezon skuadra ka një personalitet ndryshe nga viti i shkuar. Kemi një grup me lojtarë cilësorë dhe një staf shumë të mirë që ka bërë të mundur në harkun e dy-tre muajve të konsolidojnë skuadrën.

Stafi ka arritur të përcjellë një mentalitet fituesi në skuadër dhe kjo është diçka shumë pozitive. U pa edhe në ndeshjen e fundit. Ne kishim shkuar në Shkodër për ta fituar sfidën, diçka që më parë nuk konceptohej të fitohej në transferta. Pra, pretendentët duhet të llogarisin edhe Teutën.

Do të ishte absurde të flisnim që tani për titull apo për arritjen e objektivave, por jam i sigurt kur them se Teuta do të jetë kundërshtari më i fortë për të gjitha skuadrat e Superiores. Kjo do të shikohet në vazhdim”, përfundoi mesfushori i krahut të djathtë. Si në ndeshjen kundër Luftëtarit në javën e parë dhe gjithashtu ndaj Vllaznisë të dielën, Çyrbja ishte lojtari më i mirë në fushë, duke i bërë një start fantastik sezonit 2017-2018 në aspektin personal.

LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"