Curzio Malaparte!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 22, 2019 | 21:32

Curzio Malaparte!

BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

Natyrisht, me forcën thuajse tronditëse që mund të nënkuptojë emri me një pikëçuditje mbrapa: “Curzio Malaparte!”

E pra, mos ndoshta ka ardhur koha që të çelet “shkolla e gazetarisë” edhe në faqet e gazetës “Panorama Sport”, e vetmja e përditshme sportive në Shqipëri? Jo një “shkollë me administratë e pedagogë, me auditorë e drejtorë apo profesorë leksionesh. Por, një shkollë informale, që herë mbas here kujtohet të shpalosë diçka apo sadopak prej një përvoje universale, veçan të gazetarisë sportive.

Kjo, sepse sot në zhvillimin e vrullshëm të gazetarisë së informacionit të tejskajshëm, shpesh i shmangemi gazetarisë së vërtetë, asaj të një stili, të një përmbajtjeje, të një kompozicioni, si të thuash estetik, të një pasurie gjuhësore, e pse jo, të një letërsie gazetarie, nëse mund të përcaktonim kështu. Pa harruar racionalen në të treguar, në të informuar.

kurzio malaparte

Aq më tepër sot, kur jo rrallë na ndodh që të ndodhemi edhe përpara një lloj plagjiature tejet të rrezikshme. Atë që ka sulmuar në mënyrë vërtet të rrallë për kah një lloj “paturpësie”, përveç të tjerave, edhe kopjimin prej internetit, ku temat vlojnë, ndizen, shpërthejnë deri në pambarim. E ku ti kopjon me një shpejtësi të padurueshme dhe pa pikë zori vë firmën poshtë, ndonëse vetëm ke përkthyer apo “montuar” në mënyrën më joprofesionale se kurrë. Dhe për më tepër një temë me të cilën nuk je marrë asnjëherë në jetën tënde. Ngaqë gabimisht ndihesh specialist për gjithçka, që nuk ke nevojë për këshillat e askujt, përveç vetvetes.

E, teksa po zhvillohet turi unikal çiklistik i Francës, i mirënjohuri Tour de France, po kaloj te një rikujtim edhe të tij dhe të vetë epikës, pse jo, edhe të lirikës që bart sporti i çiklizmit. Po i zëmë këto dy faqe të gazetës, duke shpresuar se përmes gjithë kësaj, po çelim “shkollën e gazetarisë” në fjalë. Dhe jo thjesht sepse stina e çiklizmit europian është në kulm të saj me Tour de France, një kulturë krejt e harruar në Shqipëri, dhe as thjesht për t’i krijuar një larmi më tepër kësaj rubrike të re (Vërtet, si mund të guxosh të transmetosh gjithë vitin motoçiklizmin dhe të braktisësh Giro d’Italia apo Tour de France – simbolet e një sporti për fillimet e të cilit Shqipëria zë një nga vendet më të para në Europë?).

I kthehemi shkollës së gazetarisë, mbi të gjitha sepse na pëlqen të luftojmë harresën e një stili të gazetarisë sonë sportive. Për të shpresuar, ndërkaq, se vërtet mund t’i kthehemi një hijeshie. Shkrimi bashkangjitur mban firmën e një autori të madh: Curzio Malaparte (1898 – 1957) që është pseudonimi i shkrimtarit italian Curzio Suckert i lindur në Prato, prej ku vjen edhe çiklisti Gino Bartali. Malaparte ka qenë edhe gazetar i shquar, madje deri drejtor i “La Stampa”-s, por më tepër i mirënjohur si shkrimtar, sidomos me novelat e tij “Kaputt” (1944), “Lëkura” (1949), “Toskanët e mallkuar” (1956) apo ai gazetaresko-historik “Il ballo al Kremlino” të cilin e rilexoj e pakta një herë në vit. Dhe ngjet, ndërkaq, që edhe një shkrim sportiv i tij përbën një model dhe lë mbresa të forta te lexuesi. Kjo i ngjau Malaparte-s më 1949, pak para Tour de France, kur në revistën franceze “Sport Digest” ai botoi të shkruar në frëngjisht këtë shkrim për dy fenomenët e çiklizmit botëror: Gino Bartali (1914-2000) dhe Fausto Coppi (1919-1960). I pari jetëgjatë, i dyti jetëshkurtër, vdekja e papritur e të cilit më 1960 e mbuloi në vajë gjithë Italinë, teksa para arkivolit të tij derdhte lot pa pushim edhe “armiku vëllazëror” i tij, Gino Bartali.

“Dy fytyrat e Italisë: Coppi e Bartali”, që po ribotojmë këtu, është një kushtim i mahnitshëm për këta dy legjendarë të sportit botëror, të cilët përveç të tjerave, së bashku kanë fituar edhe 12 “Giro” e “Tour”. Dhe me plot aventura të ndërsjella. Gino fiton “Tour”-in më 1938 dhe 1948, në plot 10 vjet larg! Fausto fiton më 1949 pikërisht në duel me Ginon, duke mahnitur Europën. Mandej Coppi që fiton “Tour”-in më 1952, tash pa Bartalin! Kapriçio të papërshkrueshme rivalësh legjendarë! Në vitet e para të mbasluftës, ata qenë dy njerëzit të cilët e ndanë Italinë sportive në dy pjesë, madje për fatin e çuditshëm në dy kampe ideologjike e politike të kohës: Gino si përfaqësues i Italisë besimtare, ndërsa Fausto si i Italisë laike. Ishin të pamëshirshëm ndaj njëri-tjetrit.

Por vetëm në rrugët e etapave. Jashtë tyre ishin shokë të dashur e të mirë, siç ka thënë Adriana, bashkëshortja e Gino Bartali-t. Dikush këtë shkrim të Malapartes e ka quajtur një “elozhe për biçikletën”, asokohe mjeti më i pazëvendësueshëm për miliona njerëz. Ishte një kohë kur vetëm pak mbas vitit 1948, do të shpërthente Vittorio de Sica me filmin e bujshëm neorealist “Vjedhësit e biçikletave” të cilin, për fat, ne e shihnim përnatë në kinematë tona, të Shkodrës apo të Tiranës, të të gjithë Shqipërisë. E megjithatë, Bartali dhe Coppi qenë prej asaj race sportistësh të cilët me garat e duelin e tyre të pashembullt ngjallën një shpresë të habitshme te njerëzit që po ecnin ende me frikë mbi gërmadhat e luftës që sapo kishte përfunduar.

Kjo “hijeshi” e gazetarisë, siç e kam mbititulluar, dhe që mban firmën e Malaparte-s, duket si diçka krejt letrare doemos, por unë e quaj mirëfilli një shkrim sportiv. Tjetër punë se këto lloj shkrimesh kanë humbur. Për fat, kanë humbur vetëm në shtypin shqiptar në tanësi. Nuk e di nëse kjo ka ndodhur se nuk ka penda që t’i krijojnë asisoj apo se shpesh pa dashur futemi në një rrugë paksa të gabuar të gazetarisë sportive. Historia jonë në këtë lloj gazetarie na kujton ndërkaq, se qysh herët ne kemi pasur një themelues të madh stili. Ai quhej Anton Mazrreku.

E, ndonjëherë ndodh që e përmendin ose shkruajnë diçka për të shkrues të sotëm sportivë, por menjëherë e kupton se ata nuk kanë lexuar asnjë shkrim të tij, sidomos të viteve ’30 apo të mesit të viteve ’40. E kësisoji, nuk arrijnë të rendin mbas këtij stili. Janë tejet artificialë. Në fund të fundit, përse ky shkrim? Sepse kemi harruar gjininë e tij dhe gabimisht kujtojmë se sporti është thjesht diçka teknike, apo i një rezultati, apo i një paraje deri në fetishizimin më absurd të saj, jo pjesë e shoqërisë njerëzore, brenda së cilës vlon vetë jeta me të gjitha: me gëzimin dhe lumturinë e saj, me fatkeqësinë dhe dështimin, me fitoren dhe humbjen, me shpirtin dhe humanizmin, e shpesh edhe me egoizmin dhe ambicien e pamatë. Madje, jo vetëm në garat, stadiumet, etapat, pistat, palestrat, por edhe ndër zyrat a kancelaritë e sportit. Sidomos në Shqipërinë, për fat, të një sporti të vogël. Mû për të gjitha këto botohet shkrimi i Malaparte-s.

Pa harruar kurrnjiherë atë që një gazetar i madh ia shkruante një të riu: “Të rekomandoj që gjithmonë të shprehesh në mënyrë të qartë dhe jo thjesht si një specialist. Askush nuk të detyron të shkruash në një gazetë. Por nëse e bën këtë, duhet të përdorësh për lexuesin një gjuhë të butë dhe konfidenciale, që nuk të kanoset dhe që nuk të ndrydh”. Ndoshta pikërisht këtë ka pasur parasysh Jolanda Cacciapuoti – një mike e madhe e Malapartes – kur i tregonte një gazetari të përmasave me emrin Roberto Gervaso se “Malaparte sakrifikonte shumë kur shkruante, teksa kurrë nuk mbushte më shumë se një faqe në ditë, të cilën e lexonte, e rilexonte, e korrigjonte, e rikorrigjonte”. Ishte gazetarie e vërtetë malapartiane.

* Shënim: Artikull ekskluzivisht për “Panorama Sport”. Ndalohet kopjimi dhe riprodhimi pa lejen e kompanisë.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"