Cungu: Vllaznia ka diferenca të mëdha me elitën, kam hyrë vetë garant për financat. Jemi bërë si fjalëkryq

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 23, 2017 | 16:38

Cungu: Vllaznia ka diferenca të mëdha me elitën, kam hyrë vetë garant për financat. Jemi bërë si fjalëkryq

Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, pranon se është i pakënaqur me futbollistët që janë afruar gjatë merkatos, por ai është i ndërgjegjshëm se është shumë e vështirë aktualisht që të bindësh lojtarë t’i bashkohen kuqebluve, duke pranuar se diferencat mes palëve janë shumë të mëdha. Për “SuperSport”, ai deklaroi se me raste, kishte hyrë garant personalisht te lojtarët për t’i bindur të shkonin në Shkodër dhe se aty do t’i kishin të sigurta pagesat.

cungu

Për situatën e krijuar te Vllaznia pas javës së kaluar

“Nuk do të thosha kaos, por kur vjen humbje në shtëpi nuk është pozitive për askënd, as për ekipin, as sportdashësit, ndaj atmosfera bëhet e zbehte. Ky është vetëm fillimi i kampionatit, futbolli i tillë është, edhe me Teutën ishte ndeshje e dobët, por Vllaznia kishte momentet e saj, ndërsa Teuta nuk erdhi asnjëherë në portën tonë dhe ia falëm golin.

I tillë është futbolli, në këto kushte ekipi ndjen peshën e presionit dhe të rezultatit, ndaj kjo shihej në këmbët e sportistëve, ku duhej të ishim më të qetë për të menaxhuar pikën”.

Barazimi dhe vlera e tij në këtë transfertë

“Peshojnë shumë pikët, 1 pikë me 3 ka diferencë të madhe. Ekipi u mbrojt mirë dhe tentuam të dilnim me sulem të shpejta. E bëmë në pjesën e parë me Gocajn në krahun e djathtë, sidomos te rasti i Ribajt mund të shënonim. Janë gjëra që ndodhin në futboll, më kënaq fakti që ekipi kishte momente të mira, i rrjedhshëm në sulm dhe kishte koncepte. Kishim edhe rastin e Çinarit ku Orelesi e Pjeshka shpërdoruan. Në përgjithësi më vjen keq për mosmarrjen e tre pikëve sot”.

Nëse kënaqet me pikët në transfertë të skuadrës

“Një trajner nuk duhet të jetë kurrë i kënaqur edhe nëse fiton, gjen dobësi, gjëra që duhen përmirësuar. Janë tre javë, natyrshëm që nuk është mirë të humbësh ndaj Teutës në shtëpi, por janë gjëra që ndodhin.

Në përgjithësi them se janë 4 pikë në 3 ndeshje, vjet kemi marrë më pak, kampionati është shumë i gjatë kështu që Vllaznia ka punë për të bërë, me këta djem duhet shumë punë edhe për shkak organizimi e situata, mospasjes të miqësoreve serioze.

Edhe ekipi realisht nuk është se u formatuar në marrëdhënien e njohjes së lojës, i harmonizuar si duhet. Jam i bindur se në ndeshjet në vazhdim këto do të vijnë. A ka kosto? Sigurisht, por ndodhemi para këtij fakti. Katër pikë në 3 ndeshje nuk është kënaqësi e madhe”.

Nëse është i kënaqur me lojtarët që ka afruar

“Nuk është ekipi si desha, kemi probleme, kisha dëshira të tjera por nuk u bënë të mundura, për shkak të organizimit, apo financave, e kam thënë edhe më herët se çdo futbollist cilësor pretendon të bëjë pjesë në ekipet e elitës ku bëhet fjalë edhe në profesionalizëm, edhe në financa.

Diferencat janë të mëdha, nuk është e lehtë të bindësh të vijnë te Vllaznia, kemi punuar shumë me lojtarë që afruam, nuk jermi plotësuar. Janë larguar 12 e afrohen 6, është gjysma. Ekipi duhet të krijojë fizionomi, nuk jam partizan për lëvizje të tepërta në ekip se dëmtojnë ekipin në harmonizim e ritëm loje”.

Për situatën financiare

“Natyrshëm që nuk është situatë e mirë, e theksoj për shkak procedure, jo për shkak të një mosdashje për të shpërndarë pagesat. Unë kam hyrë shpesh garant te sportistët se ka qenë korrekte, me vonesa të vogla si klub bashkie, se fonde miratimet buxheti, prefekt, jemi bërë si fjalëkryq. Por një vonesë kaq e madhe nuk ka ndodhur ndonjëherë, duhet ta shpjegojnë këtë më mirë drejtuesit, që shpresoj ta zgjidhin sa më shpejt se e kam thënë se jemi shumë vonë”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"