Cungu: Vazhdojmë të pësojmë gola për gabimet tona, sot më kënaqi loja por jo pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2017 | 16:42

Cungu: Vazhdojmë të pësojmë gola për gabimet tona, sot më kënaqi loja por jo pikët

Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, mendon se ekipi i tij bëri një paraqitje shumë të mirë në fushë dhe mund të arrinte fitoren nëse luante pak me më shumë kujdes para portës. Në deklaratën e dhënë pas ndeshjes për “Supersport”, ai tha se Vllaznia pëson gjithnjë gola për gabime të lojtarëve të saj.

Armando

Barazimi me Flamurtarin

“Duke pasur parasysh kundërshtarin që ishte një ekip me shumë kualitet, nuk ishte e lehtë për ta mundur, por në loje ne ishim më superiorë, bëmë më shumë raste. Në të vetmin rast që kundërshtari na goditi na shënoi gol. Ne ishim shumë më cinikë, më agresivë. Pjesa e parë ishte shumë e mirë, por vazhdon të mungojë finalizmi. Loja më kënaq, por jo pikët.”

Në pjesën e dytë më të kujdesshëm

“U dukëm më të kujdesshëm në pjesën e dytë sepse bëmë ndërrime të detyrueshme. Prania e tre lojtarëve jo në 100 përqind na rrëzoi pak ritmin ndaj u detyruam te bëjmë ndërrime që të freskonim pak lojtarët. Kjo ishte mundësia jonë sepse s’kishim alternativë tjetër në sulm. Arnojmë lojtarët e krahëve që të bëhen sulmues.”

Mungesa e një sulmuesi që shënon

“Është problem lojtari gol, por jam i kënaqur me rendimentin e Ribajt, punon shumë dhe vrapon shumë. Por duhet dhe një lojtar që e fut topin në rrjetë sepse për këtë luhet. Kjo është mundësia dhe këto kemi në dispozicion deri në janar, shpresoj të japim maksimumin sepse jam pak partizan i idesë që nuk shënon vetëm sulmuesi, ndaj do tentojmë me lojtaret e tjerë.

Nëse luajmë si sot dhe jemi më të kujdesshëm, mund të shënojmë. Nuk mund t’ia faturojmë të gjitha sulmit. Do presim deri në janar, por edhe atëherë është periudhë e vakët për të gjetur lojtarin e duhur.”

Lehtësia e pësimit të golave

“Prej pesë javësh i dhurojmë vetë golat me gabime të pafalshme, edhe sot ishte një vendosje e gabuar. Edhe në aspektin fizik ekipi bëri shumë volum dhe ra pak në individë të caktuar. Jam i ndërgjegjshëm se kemi lojtare në fushë me probleme prej kohe të gjatë. Edhe pse stërvitemi prej dy muaj e gjysmë, vetëm 7 ditë kemi bërë përgatitje në Malin e Zi me dy seanca për ngarkesë të plotë sepse ashtu ishin mundësitë. Gradualisht shpresoj të rritim gjendjen fizike.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"