Cungu sqaron përjashtimin e Cicmilit: Vetëm për arsye sportive, unë nuk bëj akuza të pabaza

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 9, 2017 | 14:25

Cungu sqaron përjashtimin e Cicmilit: Vetëm për arsye sportive, unë nuk bëj akuza të pabaza

Debati i krijuar pas ndeshjes së humbur me Skënderbeun pas deklaratës së trajnerit Cungu që vendosi të mos e përfshinte më në planet e tij mbrojtësin malazez Stefan Cicmil, ka sjellë reagimin e vetë atij që mbrëmjen e së dielës, përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, i quan njerëzore gabimet e bëra në këtë ndeshje.

cungu

Megjithatë, vetë trajneri i Vllaznisë, në një tjetër prononcim gjatë ditës së djeshme në lidhje me këtë lojtar, ka sqaruar edhe vendimin e marrë që sipas tij bazohet te forma e dobët sportive dhe jo për akuza të tjera.

“Dua të theksoj se ajo që kam thënë për Cicmilin nuk ka të bëjë fare me aspektet jo sportive. Unë nuk kam hedhur dhe nuk hedh asnjë akuzë të pabazë ndaj tij dhe askujt tjetër. Por unë jam tejet i zhgënjyer nga forma e tij sportive. Ishte gabim njerëzor dhe këtë e kam shprehur edhe më pas intervistës së dhënë. Lojtarët që kam larguar i kam larguar për mungesë profesionalizmi. Një gjë të tillë e kam ndërmarrë edhe për Cicmilin”, është shprehur tekniku Cungu, i cili nuk ka dashur të komentojë fatet e merkatos shkodrane.

Sipas tij, është herët të flitet për lojtarë të larguar dhe të afruar. Tashmë pritet vendimi që do të marrin drejtuesit e klubit në lidhje me këtë sportist. Atij i kanë mbetur edhe tri javë për të mbyllur kontratën me Vllazninë dhe mbase ajo mund të përfundojë para kohe.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"