Cungu nuk mendon për Europën: Llogaritë mbi ndeshjen e radhës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 12, 2017 | 16:43

Cungu nuk mendon për Europën: Llogaritë mbi ndeshjen e radhës

Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, në deklaratën e tij pas ndeshjes për “Gol pas Goli”, u shpreh i kënaqur me tre pikët e fituara ndaj Laçit, por jo me lëshimin e kontrollit të lojës pas golit të shënuar. Ai gjithashtu bëri me dije se pavarësisht vendit të 4-t që Vllaznia mban për momentin, llogaritë do vazhdojnë të bëhen për ndeshjen e radhës dhe nuk do të mendohet për një vend në kupat e Europës.

cungu

Për ndeshjen

“Të them të drejtën për vetë momentin në të cilin ka ardhur kampionati, presioni ishte i ditur. Luanim me një rival që është përforcuar shumë në janar. Këto pikë kërkoheshin shumë edhe nga opinioni sportiv në Shkodër ndaj ne kontrolluam lojën deri sa shënuam dhe pastaj u tërhoqëm disi. I kuptoj lojtarët sepse po vjen fundi dhe duhen pikët, ndaj sportistët janë të ngarkuar për të marrë fitore me cdo kusht, por nuk duhet t’i lejojmë terren kundërshtarit për 30 minuta si sot.”

Për mundësitë për të kapur Europën

“Dëshira është e madhe për të bërë gjëra të bukura, por objektivi im kryesor është ndeshja e radhës që e kemi ndaj një ekipi shumë të fortë. Njësoj si Laçi, edhe Teuta është përmirësuar shumë. Do mundohemi të bëjmë maksimumin. Në 11 javët e mbetura mund të ndodhë çdo gjë.”

Për kontributin e Elis Bakajt

“Për Bakajn flet vetë puna e tij, flasin golat, 4 gola në 5 ndeshje. Unë s’kam pse t’i bëj reklame Elisit sepse i bën puna e tij. Ai po kontribuon shumë mirë dhe është një frikë permanente për kundërshtarët. Megjithatë ai nuk është ende në formën e tij më të mirë dhe e di këtë gjë, ndaj imagjinoni si të do ishte po të ishte në gjendjen më të mirë. Unë e përgëzoj për çfarë ka bërë deri tani.”

Për humbjen e kontrollit në lojë pas shënimit të golit

“Na ndodh shpesh në ndeshje që tërhiqemi dhe lëmë terren. Sot ishte problem psikologjik sepse kemi më shumë cilësi se kundërshtari në mesfushë, por siç e thashë u munduam të mbronim rezultatin. Kemi patur edhe probleme fizike si Bardulla që kërkoi të dilte dhe na prishi shumë ekuilibra sepse s’kishim alternativat e duhura.”

Për objektivin

“Unë llogaritë i bëj për ndeshjen e radhës. Sa më shpejt t’i grumbullojmë pikët, jo për mbijetesë por për siguri dhe qetësi, aq më mirë. Nëse na jepet mundësia për më lart, pse jo.”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"