Cungu: Nuk kam akuzuar asnjë lojtar për 5 golat. Unë nuk dorëzohem, tentojmë mrekullinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 13, 2018 | 22:51

Cungu: Nuk kam akuzuar asnjë lojtar për 5 golat. Unë nuk dorëzohem, tentojmë mrekullinë

Zhgënjimi pas disfatës 5-2 në Tbilisi ishte i madh tek Kukësi. Armando Cungu pranon se në përfundim të ndeshjes ishte jashtëzakonisht i mërzitur, por absolutisht nuk ka kritikuar asnjë individ, madje ka marrëdhënie mjaft të mira me të gjithë lojtarët. Sipas teknikut situata e krijuar artificialisht shkon në favor të Torpedos.

cungu

“Natyrisht që ka qenë një mërzi për shkak të rezultatit, edhe pse mund të them se luajtëm shumë mirë në aspektin sulmues. Pësuam lehtësisht golat, por nuk është se kam drejtuar gishtin as te Hoxha dhe as te askush tjetër. Të gjithë u munduan të japin më të mirën, por humbën të gjithë bashkë dhe mërzia ime ishte normale, pasi pësuam pesë gola. Gjithsesi unë nuk dorëzohem dhe duke njohur grupin, e di që edhe ata nuk dorëzohen dhe do të luajmë shanset tona për kualifikim. Kjo situatë e krijuar është krejtësisht artificiale dhe shkon vetëm në favor të kundërshtarit”, deklaroi Cungu.

Çfarë ndikoi në këtë humbje me shifra të thella? Cungu nuk ka asnjë dyshim. I gjithë kalvari që i parapriu kësaj sfide, ku Maliqi e Ethemi nuk u pajisën me viza dhe Reginaldo mbërriti në Gjeorgji vetëm ditën e ndeshjes, shkaktuan prishje të ekuilibrit të skuadrës.

“Për shkak të problematikave dhe orvatjeve në udhëtim, por edhe problemeve me disa prej lojtarëve, që mbetën në aeroporte, apo erdhën me vonesë. Të gjitha këto ndikuan edhe në psikologjinë e ekipit, por edhe në lodhjen fizike të lojtarëve. Edhe unë përgatita një tjetër takim gjatë javës, por në fund u detyrova të riorganizoja skuadrën, për shkak të situatave të krijuara”, tha trajneri shkodran.

Asgjë nuk ka përfunduar. Do të jetë e vështirë, por jo e pamundur dhe për t’u realizuar mrekullia, duhet që Kukësi të jetë agresiv që në vërshëllimën e parë të gjyqtarit.

“Cungu nuk dorëzohet kurrë në karakterin e tij,. Do të provojmë maksimumin, për të bërë edhe mrekullinë. Do të hidhemi në sulm që nga fillimi, për të gjetur golin, pasi nuk kemi çfarë të humbim. Nëse do të kemi fatin të gjejmë golin e parë shpejt, atëherë çdo gjë do të bëhet edhe më e lehtë për ne”, theksoi Cungu.

Sa më shumë lojtarë në skuadër, aq më e thjeshtë puna e trajnerit. Tekniku 45-vjeçar është mjaft i kënaqur me afrimet e Cuculit dhe Touresë, sepse alternativat e shumta e forcojnë ekipin.

“Unë kam shpresë gjithmonë te çdo lojtar, Besoj te ekipi i Kukësit dhe te drejtuesit, që po punojnë për të përforcuar gjithnjë e më shumë ekipin. Sa më shumë lojtarë kualitativë të kemi në dispozicion, aq më mirë është për mua. Në kulturën time sportive, zgjedhjet do të jenë të thjeshta dhe të kuptueshme, pasi do të luajë ai që e meriton”, tha trajneri i Kukësit.

Armando Cungu është i qartë, objektivat e Kukësit nuk i vendos trajneri, ato janë të përcaktuara dhe blutë do të synojnë triumfin në kampionat dhe Kupën e Shqipërisë.

“Nuk ka nevojë Armando Cungu të vijë t’i vërë objektiva Kukësi, pasi çdo trajner që vjen këtu, I ka të qarta synimet dhe vjen me një ide të caktuar., Patjetër që kampionatin është i vështirë, pasi ka ekipe që kanë bërë merkato të fuqishme, si Partizani, Vlora, Durrësi, por edhe Laçi mbetet një kockë e fortë, ndërsa Tirana ka gjithashtu ambiciet e veta. Me pak fjalë janë shumë ekipe, që kanë ambicie për të fituar kampionatin, apo për të dalë në Europë. Më pas do të jetë starti dhe vazhdimësia e kampionatit, që do të tregojë forcën reale të çdo ekipi. Patjetër që edhe Kukësi do të jetë pretendent për të fituar kampionatin, por pse jo edhe Kupën e Shqipërisë”, deklaroi Cungu./SUPERSPORT

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"