Cungu: Në këtë tallava shqiptare, gjithçka shitet e gjithçka blihet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 10, 2017 | 19:11

Cungu: Në këtë tallava shqiptare, gjithçka shitet e gjithçka blihet

Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, insiston se nuk ka akuzuar Cicmil për trukim në ndeshjen me Skënderbeun, por për papërgjegjshmëri të mbrojtësit të përjashtuar se fundmi. Në “Gol pas Goli” ai i cilëson zërat ndaj Vllaznisë si dashakeqe dhe që u kanë shërbyer palëve të treta për të dëmtuar klubin.

Cungu

Për ndeshjen kundër Luftëtarit

“Kishim problematikën e mungesës së lojtarëve, kishim edhe lojtarë të dëmtuar në fushën e lojës, apo në pjesën e dytë sakrifikuam edhe Gocajn që ishte i pamundur të merrte pjesë në ndeshje. Por ky ishte kontingjenti, duke lëvizur lojtarë, ndikoi se nuk kishim ritmin e duhur. Mendoj se më shumë ishte ngërç psikologjik i ekipit se për turpin e atyre që kanë tentuar të baltosin Vllazninë, të hedhin helm mbi Vllazninë e drejtues, apo mbi mua, e ndjen edhe ekipi.

Për ndeshjen me Korçën, i shërbyen kundërshtarit tonë, mund të ketë qenë edhe ky qëllimi, nuk e di. Por u bëj thirrje, unë i shoh njerëzit në sy, dua t’i shoh të gjithë, duhet të lajnë gojën mirë kur tentojnë të përmendin emrin e Armando Cungut, kushdo qoftë, për pazarllëqe, maskarallëqe të futbollit shqiptar nëse ka.

Përveç meje edhe natyrshëm asnjë drejtues i Vllaznisë nuk ka dhanë asnjë urdhër dhe nuk do të japë asnjë urdhër. Superliga shqiptare ka nderin që ka një ekip qytetar ku nuk ka as presion, as fjalë, as dhunë, asnjë gjë, ku ka një stadium të mrekullueshëm, një qytet të mrekullueshëm ku vjen e luhet futboll rehat. Sikurse edhe sportistët kanë një luks të madh, pasi luajnë pa presionin e klubit, por që tensioni vjen nga jashtë”.

Për deklaratat rreth Cicmil

“Po tjetërsojnë fjalët e mia, e kam thënë dhe vazhdoj ta përsërit, papërgjegjshmëri dhe joseriozitet i një individi dhe vazhdoj ta them prapë live para kamerave tuaja. Nuk e kam thënë unë gabime njerëzore siç e kam parë në gazetë. Unë një fjalë e nxjerr prej gojës dhe i rri besnik.

Opinioni mund të mendojë gjithçka, kam deklaruar direkt pas ndeshjes se flas si profesionist e trajner dhe nuk mund të dal jashtë kornizës time. Kam thënë ka qenë papërgjegjshmëri në këtë ndeshje dhe jo vetëm në këtë ndeshje, dhe mungesë serioziteti. Ma thoni nëse gjeni një lojtar që shkakton dy penallti, del edhe me karton të kuq. Unë nuk jam i vogël, jam 44 vjeç, kam parë futboll që katër vjeç, nuk kam arritur të shoh kështu lojtarësh”.

Për akuzat e vazhdueshme për tolerime

“Janë gjëra që mund të ndodhin, por ky sportist ka krijuar ndeshje të tilla, kartona të tillë ndeshje pas ndeshjeje. Nuk e kam akuzuar se nuk mundem të akuzoj askënd. Jam dakord se në këtë tallava shqiptare gjithçka shitet e gjithçka blihet. Se kur luhet futboll ndershëm unë nuk e di në këtë vend.

Po të dëgjojmë fjalët e njerëzve çdo ekip nuk luan futboll, luan nëpër tavolina etj, etj. Nuk jam marrë me tavolina, merrem me stërvitje dhe me atë që japin futbollistët në fushën e lojës, jam përgjegjës për lojtarët dhe kudo qofshin ata”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"