Cungu në hall para Kamzës, dëmtimet “pushtojnë” Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 22, 2018 | 9:59

Cungu në hall para Kamzës, dëmtimet “pushtojnë” Kukësin

Dëmtimet “push tojnë” Kukësin dhe trajneri Armando Cungu duhet të bëjë plane pa disa lojtarë shumë të rëndësishëm në prag të transfertës me Kamzën. Sikur të mos mjaftonin problemet që shfaqën në fillimin e këtij sezoni lojtarë si Besar Musolli dhe Simon Rrumbullaku, të cilët iu nënshtruan edhe operacioneve në gju, duket se dëmtimet nuk po i ndahen ekipit verilindor. Është sërish kapiteni Ylli Shameti ai që ka alarmuar stafin teknik, teksa dje nuk është stërvitur. Ai ka ndierë shqetësime në të njëjtin vend ku u dëmtua pak javë më parë.

kukesi

Qendërmbrojtësi sakrifikoi ndaj Teutës dhe gjithçka u mendua se shkoi mirë për vazhdimësinë, por në seancën e dy ditëve më parë është dëmtuar sërish. Menjëherë lojtari ka shkuar për të bërë një kontroll të detajuar dhe tashmë nuk ka asgjë të sigurt nëse do të jetë apo jo të dielën në ndeshjen ndaj Kamzës. Mundësitë më  të mëdha janë që të mos jetë i gatshëm, pasi mund ta përkeqësojë edhe më shumë dëmtimin që ka në pjesën e ligamentit të gjurit.

Vetë kapiteni ka pranuar pas ndeshjes me Teutën se po sakrifikon prej javësh, mirëpo kjo ngarkesë ka pasur ndikimin e vet negativ, duke i sjellë probleme të vazhdueshme lojtarit. Por, një hall tjetër për Cungun është edhe mesfushori francez, Shafik Tigroudja, i cili ka pësuar një tërheqje muskulore pak ditë më parë dhe nuk është stërvitur me grupin këtë javë. Francezi është një futbollist, nga i cili pritet shumë te Kukësi, por vetëm sot do të kuptohet nëse mund të jetë i gatshëm ndaj Kamzës apo do t’i shtohet listës së mungesave. Shafik pritet që në seancën e sotme të provojë të stërvitet me grupin dhe gjithçka do të varet nëse mund ta përballojë ose jo ngarkesë. Gjatë ditëve të fundit, ai ka bërë vetëm terapi intensive, por nuk ka asgjë të sigurt për aktivizimin.

MUNGESAT Përveç Besar Musollit, i cili ka afro dy muaj jashtë fushe dhe e ka mbyllur pjesën e parë të sezonit për shkak të operacionit në gju, të dielën ndaj Kamzës mungesë e sigurt do të jetë mbrojtësi i majtë, Vangjel Zguro. Ky i fundit ka plotësuar numrin e kartonëve të verdhë dhe kësisoj është i detyruar të bëjë një javë pushim. Nga ana tjetër, mbrojtësi i majtë, Simon Rrumbullaku, ka disa ndeshje që mungon për shkak të dëmtimit që pësoi në takimin e luajtur në FushëKrujë ndaj Kastriotit disa javë më parë. Në këtë periudhë ai i është nënshtruar terapisë intensive dhe gjasat që të luajë ndaj Kamzës duken të pakta. Nëse konfirmohen edhe mungesat e Shametit dhe Shafik, atëherë Cungu do të jetë vërtet në hall për ndërtimin e formacionit, veçanërisht për të plotësuar boshllëqet në mbrojtje dhe qendër të mesfushës.

SKERDILAID SULOZEQI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"