Cungu “kërcënon” Hafizin: Kam fakte për deklaratat e mia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 9, 2016 | 7:30

Cungu “kërcënon” Hafizin: Kam fakte për deklaratat e mia

Trajneri i Vllaznisë, Armando Cungu, ka reaguar pas intervistës së ish-trajnerit të Kombëtares, Astrit Hafizi. Ky i fundit mohoi akuzat e bëra nga Cungu se i kishte kërkuar para që ta merrte në ekipin Kombëtar në vitin 1997.

cungu-768x513“Nuk kisha asnjë dëshirë që t’i hyja këtij muhabeti dhe më vjen keq që u bëra pjesë e këtij debati. Por jam i sinqertë në fjalët që kam thënë.

Ata që kam njohur dhe më njohin më kanë dhënë të drejtë në fjalën time. Por, realisht nuk dua që të vijoj me këtë muhabet, pasi nuk dua t’i ul pazarin vetes dhe as gazetës, që të bëhet pjesë e këtyre debateve të fëlliqura. Por, nëse z. Hafizi ka dëshirë ta vazhdojë këtë punë, unë jam i gatshëm ku të dëshirojë ai”, është shprehur Cungu për “Panorama Sport”.

Faktet – Në vazhdim të prononcimit të tij, trajneri aktual i Vllaznisë, Armando Cungu, është shprehur se ka fakte për gjithçka thotë, por, njëkohësisht, bën me dije se dëshiron që këtë çështje të mos e vazhdojë më tej.

“Kam fakte jo vetëm te Kombëtarja, por edhe te Vllaznia për mënyrën si kanë funksionuar gjërat në kohën time, kur ai ka qenë trajner dhe drejtor i klubit. Madje edhe në kohën e të ndjerit, ish-presidentit Myftar Çela. Ai është përballur me shokë dhe kolegë të mitë në studio televizive dhe është larguar me vrap.

Megjithatë, unë nuk jam ai që mund të flas se çfarë i ka ndodhur njërit apo tjetrit prej kolegëve dhe shokëve të mi, të cilët nuk janë të paktë.

Unë flas se çfarë më ka ndodhur mua jo vetëm te Kombëtarja, por edhe te Vllaznia. Këtu dua ta mbyll dhe shpresoj që të mos jem më pjesë e këtij debati.

Por, nëse Hafizi kërkon ta vazhdojë, unë jam i gatshëm për një gjë të tillë”, ka mbyllur trajneri i Vllaznisë, Cungu, deklaratën e tij, e cila duhet thënë se ka qenë më shumë një paralajmërim për Astrit Hafizin.

Ky i fundit i ka quajtur të turpshme deklaratat e Cungut, për akuzat që i janë bërë. Ai ka thënë se nuk e ka pasur asnjëherë Cungun në planet e tij, për ta bërë pjesë të ekipit Kombëtar, gjatë viteve që e drejtonte.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"