Cungu: I zhgënjyer sepse shpërdoruam shumë, edhe presidenti e di që kemi nevojë për…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2018 | 19:05

Cungu: I zhgënjyer sepse shpërdoruam shumë, edhe presidenti e di që kemi nevojë për…

Trajneri i Kukësit, Armando Cungu, pas barazimit me Laçin, në intervistën për Supersport, u shpreh se doli i dëshpëruar nga kjo ndeshje, për shkak të rezultatit, duke qenë se lojtarët e tij kishin mundësi të dyfishonin dhe të mbyllnin ndeshjen, por në fund shpërdoruan.

bandicam 2018-08-19 18-58-30-934

I dëshpëruar, për rezultatin apo për lojën?

Për rezultatin, normalisht, pasi nuk vjen rastësisht. E dija që ekipi ishte i lodhur fizikisht, pasi shpenzuam shumë energji në Europë. Nuk kishim shumë mundësi për të freskuar ekipin. Gjithsesi, e kontrolluam lojën, dhe mund të dyfishonim, por Laçi na rrezikoi në një moment, dhe ne ia dhuruam, pasi me shumë thjeshtësi mund ta eliminonim. Nuk e menaxhuam dot lojën.

Jeni i kënaqur me Rexhinaldon dhe me Harbën në sulm?

Rexhinaldo njihen në Shqipëri, dhe jam i kënaqur me kontributin e tij. Vrapon shumë, ka momente kur ka harxhuar shumë energji, dhe nuk është efikas. Të them të drejtën, nga pjesa tjetër nuk mund të mendosh që një futbollist të zgjidhë situatat. Harba pati dy mundësi të arta për të shënuar, nuk e bëri diçka të tillë. Futbolli ka një ligj, që po nuk shënove, do pësosh.

Skuadrën nuk e keni ndërtuar ju, sa kohë mund t’ju duhet të riktheni Kukësin pretendent për titull?

Këtë nuk mund ta them me ekzaktësi, unë kam ardhur me dëshirën për të bërë më të mirën. Kukësi është ekip që vendos objektiva, për trajnerët dhe objektivat, nuk vendos dot unë një objektiv sipas meje. Ambiciet nuk kanë munguar, as aspekti financiar nga presidenti për të forcuar ekipin nuk ka munguar. Unë do vazhdoj të bëj punën time. Kampionati është shumë i egër dhe shumë i vështirë. Jemi në tratativa edhe për ndonjë lojtar që mund të plotësojnë grupin. Se kur mund të vijnë, është një pyetje e vështirë për t’i dhënë përgjigje. Kukësi kërkon rezultat, dhe askush nuk na pret.

Fusha në Elbasan, do jetë plus apo minus për ekipin?

Mendoj se është minus për çdo ekip. Përveç faktit që nuk luan para qytetit tënd, në fushën tonë njohim çdo centimetër. Është shumë e vështirë për të pasur ritëm, kur dëgjohemi më shumë ne trajnerët se sa tifozët duke bërtitur.

12 ditë për të mbyllur merkaton, ndonjë dëshirë e Cungut?

Dëshira është e presidentit dhe e të gjithëve, jo vetë e imja, për të pasur lojtarë që bëjnë diferencën. Ekipi nuk është se nuk ka luajtur futboll, por kemi shpërdoruar shumë, edhe në ndeshjet europiane. E dimë të gjithë që ka nevojë për përforcim. Ka pak ditë në dispozicion për një blerje cilësore, por gjithsesi kemi shpresë deri në fund.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"