Cungu i kënaqur me barazimin, qan pikët e lëna me Laçin dhe Luftëtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 22, 2016 | 16:44

Cungu i kënaqur me barazimin, qan pikët e lëna me Laçin dhe Luftëtarin

Armando Cungu është i kënaqur me barazimin pa gola përballë Tiranës. Trajneri i Vllaznisë e quan të pranueshëm këtë rezultat, por qan pikët e lëna ndaj Laçit dhe Luftëtarit.

Këto janë deklaratat e teknikut kuqeblu për “Gol pas goli” pas përfundimit të takimit në “Loro Boriçi”:

Cungu

“Normalisht dëshira është gjithmonë për fitore, por unë nuk kam keqardhje për pikët e lëna me Tiranën, Partizanin apo Kukësin. Neve na vjen keq për pikët që kemi lënë me Laçin dhe Luftëtarin. Jam i kënaqur me këtë barazim.

Vjet rrezikonim seriozisht qëndrimin në Superligë. Sivjet, edhe pse jemi në gjysmë të tabelës, asgjë nuk është e garantuar pasi distancat janë të vogla. Megjithatë besoj se me ekipin që kemi, nuk duhet ta diskutojmë mbijetesën. Kemi 21 pikë, dhe nëse ecim njëlloj edhe në gjysmën e dytë, e sigurojmë qëndrimin.

Në fazën dytë kemi pasur shumë mungesa nga dëmtimet dhe pezullimet. Mjafton të mungojnë dy lojtarë dhe ekuilibrat prishen. Çdo javë kemi të paktën tri-katër mungesa nga ngjeshja e ndeshjeve. Këto janë mundësitë tona.

Nuk mund të them se kemi marrë maksimumin, pasi me një fitore me Laçin ose Luftëtarin do të kishim të paktën tri pikë më tepër. Sidoqoftë, them se 2016-a ishte një vit përgjithësisht pozitiv”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"