Cungu hedh dyshime mbi Atsinën: As ai nuk e di se ku është vrarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2017 | 17:04

Cungu hedh dyshime mbi Atsinën: As ai nuk e di se ku është vrarë

Sulmuesi ganezes, Çarls Atsina, është kthyer në një çështje te skuadra e Vllaznisë. Lojtari, që është parë si zgjidhje për sulmin, ka shfaqur një problem në gju javët e fundit dhe nuk dihet se sa do të mungojë. Por, në një intervistë për mediat, trajneri Cungu ka shfaqur dyshime se lojtari mund të ketë fshehur formën e tij.

Cungu konference Vllaznia

Sa të vështirë e shihni ndeshjen e radhës në kampionat ndaj Laçit?

Në kampionat nuk ka asnjë ndeshje të lehtë. Çdo ekip lë pikë dhe çdo ekip mund të marrë pikë. Laçi bëri surprizën e madhe në javën e parë në Tiranë. Një skuadër që ka kualitete. Unë e njoh mirë, pasi edhe e kam trajnuar. Një ekip me një shpirt gare të jashtëzakonshëm, dhe për këtë gjë edhe ne duhet të përgatitemi për të treguar të njëjtën gjë. Duhet të tregojmë të njëjtin shpirt gare, të njëjtën grintë e karakter siç luan Laçi. Nëse ia kthejmë me këtë monedhë, atëherë do të dalim me një rezultat pozitiv nga kjo përballje.

Vllaznia duket disi më ndryshe pas humbjes ndaj Teutës. Duket se ka një atmosferë më pozitive…

Nuk besoj se ka shumë vend për optimizëm apo pesimizëm pas një humbjeje apo fitoreje. E kam thënë edhe pas takimit me Teutën, pas një fitoreje, flasim për objektiva madhore e pas një rezultati negativ, flasim për krizë. Ndeshja me Luftëtarin na dha një sinjal tjetër. Edhe me Teutën nuk është se ishim të kënaqur me ritmet e lojës, por duhet thënë se as Teuta nuk na rrezikoi me lojë.

Madje, edhe golin ia dhuruam në një farë mënyre ne. Mund të them se barazimi me Luftëtarin mund të quhet pozitiv pasi jemi hap më hap me ekipet rivale. Por, në fund llogaritë bëhen jo me një pikë, por edhe me një gol. Mësimi më i mirë ka qenë sezoni i vjetshëm. Këtë ia kam bërë të qartë edhe vjet lojtarëve. Prandaj, pikën e marrë në Gjirokastër e quaj mjaft pozitive.

Sulmuesi kryesor Atsina është i dëmtuar. Ç’mund të na thoni për gjendjen e tij?

Ne patëm problemet tona për të gjetur një sulmues në merkaton e verës. Atsina na u afrua dhe pasi kaloi një periudhë përgatitjesh, ku bëri paraqitje të mirë në takimet miqësore dhe në mungesë të alternativave të tjera, morëm atë për sulmin. Këto ditë unë jam njohur me situatën e lojtarit. Ai nuk ka bërë realisht një fazë të plotë përgatitore. Ka zhvilluar në Shkodër vetëm 7 ditë stërvitje dhe me këto stërvitje ne e kemi marrë edhe në atë fazë që zhvilluam në Malin e Zi.

Atsina

Ai, atje, më ka shprehur shqetësim pas një ndeshjeje miqësore që kemi patur, për një problem në gju. As ai vet nuk di të thotë ku e ka marrë atë goditje. Edhe në Malin e Zi nuk është stërvitur përditë me ekipin. Kemi ardhur në Shkodër, më pas e kam pyetur stafin mjekësor, kam pyetur edhe lojtarin e më ka thënë është gjithçka në rregull. E aktivizoj në Gjirokastër 10 minuta në fund dhe më pas vjen e më thotë kam përsëri probleme në gju. Kjo më duket e çuditshme.

Duhet të ishte bërë një ekzaminim i këtij lojtari, gjë që kërkohet tani, për të parë nëse është një dëmtim i ndodhur tani, apo është një rast i hershëm, të cilin lojtari e ka patur pa ardhur këtu. Te ne mungojnë këto ekzaminime. Edhe vetë lojtarët e stafi mjekësor duhet të na vënë në dijeni edhe ne më parë, që të dimë t’i japim ngarkesën e duhur në stërvitje. Lojtari nuk ka bërë as dy terapi te doktori dhe sërish thotë kam probleme, kjo më duket e çuditshme.

Një repart me mungesa sulmi që në nisje, tani edhe me probleme dëmtimesh, keni zgjidhje për këtë situatë?

Edhe në takimin me Kastriotin kam parë shumë minuta të luajë me Çinarin në majë të sulmit, për ta konsideruar si një alternativë. Po shikoj a mund të besoj te ky lojtar, në mungesë të mundshme edhe të sulmuesit tjetër Ribaj. Megjithatë, me lojën ndaj Kastriotit, nuk kam arritur që të shikoj atë që desha për këtë lojtar. Futbollistët nuk e treguan atë impenjim që unë kërkoja në takimin me Kastriotin, përveç kualifikimit dhe vendosjen e lojtarëve, por jam i bindur se në Laç, skuadra do të këtë ketë një grintë dhe një impenjim tjetër.

ADMIR URUÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"