Cungu: Harrojmë gjithçka, Kukësi im e mund Tiranën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 2, 2018 | 9:39

Cungu: Harrojmë gjithçka, Kukësi im e mund Tiranën

Trajneri i Kukësit, Ar mando Cungu, në vigjilje të sfidës së rëndësishme ndaj Tiranës, ka dalë para mediave ditën e sotme në “Pezë Helmes”. Shkodrani ka analizuar ecurinë e ekipit, dy ndeshjet e para ndaj Laçit e Flamurtarit.

Cungu

“Kemi bërë ndeshje të mira, kemi dominuar në dy ndeshjet e para të sezonit, por ato që kanë rëndësi janë pikët. Kukësi në fakt është mangët sa u përket pikëve dhe ka nevojë për një reagim shumë të shpejtë, që në ndeshjet e nesërme (sotme), për të sjellë qetësinë dhe për të parë përpara”, është shprehur Cungu. Tekniku shkodran nuk i ka bërë dramë pikët e humbura dhe ka theksuar se çdo gjë është e kaluar, e nga takimi i radhës do kërkohen me patjetër 3 pikët. “E sigurt që nuk ka asnjë ndeshje të lehtë në Superiore, si kundër Tiranës ashtu dhe ndaj çdo ekipi, siç mund të jenë debutuese. Edhe kampionati botëror ka treguar se diferencat janë ngushtuar shumë dhe të gjithë dinë të luajnë futboll. Nëse nuk jep maksimumin në fushën e lojës, nëse  nuk tregohesh serioz në çdo sekondë të sajën edhe mund të ndëshkohesh, siç na ka ndodhur në dy ndeshjet e para. Dy pakujdesi në goditjet standarde na sollën këtë situatë të pikëve. Duhet të ndryshojmë në mentalitet për të kuptuar që nuk i kthejmë më ndeshjet e humbura apo pikët e lëna. Që të mos vajtojmë më për pikë duhet të rikthemi me shumë karakter në këtë sfidë”, pranon Cungu.

cungu

Trajneri ka pohuar se ekipit i duhet dhe pak kohë të marrë fizionominë e tij, por është fakt se lodhja nga Kupat e Europës dhe temperaturat e larta kanë ndikuar. “Lodhja në Kupat e Europës është reflektuar dhe në ndeshjet e kampionatit, sidomos në takimin e parë me Laçin. Pa u bërë 3 ditë u detyruam të zbrisnim në fushë. Edhe pse dominuam, ekipi nuk kishte ritmin e duhur për shkak të lodhjes. Futemi për ta fituar ndeshjen. Në natyrën time, kudo që kam qenë, edhe pse kam pasur ndonjë ekip që nuk ka pretenduar si Vllaznia, është për t’u futur në fushë dhe për të fituar ndaj çdo ekipi, aq më tepër që Kukësi tani është një skuadër me emër në futbollin shqiptar që i ka dhënë tonin në elitën e saj dhe duhet me çdo kusht fitorja”, përfundon trajneri Cungu.

SKERDILAID SULOZEQI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"