Cungu ëndërronte Bakajn: Klubi më solli Mulenon, edhe pse isha kundër

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2017 | 17:30

Cungu ëndërronte Bakajn: Klubi më solli Mulenon, edhe pse isha kundër

Fjala kaos është pak për të përshkruar situatën që po kalon klubi i Vllaznisë. Faza përgatitore e zhvilluar si mos më keq në Mal të Zi, me mangësi të mëdha si në aspektin organizativ, ashtu edhe sportiv, tashmë po pasohet me zgjedhje të çuditshme të klubit kuqeblu i cili afron lojtarë pa miratimin e trajnerit Armando Cungu.

cungu armando

Ky i fundit nuk ka ngurruar të bëjë publike pakënaqësitë e tij gjatë ditës së sotme. Ai zbuloi se ëndrra e merkatos kishte qenë afrimi i Elis Bakajt, por klubi nuk përballonte dot kërkesat e tij ekonomike. “Tentuam të afronim Elis Bakajn. Vllaznia zhvilloi bisedime me futbollistin, megjithatë klubi e kishte të pamundur që të mbulonte shifrën financiare të kërkuar nga lojtari”, shpjegoi ai.

Në pamundësi të afrimit të Bakajt, drejtuesit e klubit vendosën në kokën e tyre të nënshkruanin me mbrojtësin belg Muleno, edhe pse Cungu ishte kundër. “Është arritur marrëveshja me mbrojtësin belg, Muleno, i cili do të jetë pjesë e Vllaznisë për gjysmën e dytë të sezonit. Personalisht nuk isha plotësisht dakord me këtë afrim, por drejtuesit e klubit vendosën se ky futbollist mund të ishte një alternativë e mirë për mbrojtjen”, zbuloi ai.

Cungu Vllaznia stafi

Sigurisht që në këtë situatë, çdo pretendim i Vllaznisë përveç mbijetesës, duhet cilësuar absurd. “Do të vazhdojmë me këtë grup lojtarësh për të realizuar objektivin tonë që është mbijetesa”, tha Cungu, duke pranuar në këtë mënyrë se edhe ky sezon nuk kishte asnjë ndryshim nga ata të mëparshmit për klubin kuqeblu.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"