Cungu e ka me gjyqtarët: Nuk mund të mësojnë dorën me Vllazninë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 29, 2017 | 19:24

Cungu e ka me gjyqtarët: Nuk mund të mësojnë dorën me Vllazninë

Armando Cungu hedh dyshime për faktin që Korabi luajti fort dhe i mori Vllaznisë së tij një barazim 1-1 në Shkodër. Trajneri shkodran nuk la pa përmendur faktin që dibranët janë shpërfytyruar në ndeshjet e mëparshme, duke hedhur dyshime se sot mund të ishin motivuar nga Luftëtari, kundërshtari i kuqebluve për vendin e katërt. Në prononcimin për “Gol pas Goli”, Cungu theksoi edhe faktin që treshja e gjyqtarëve të ndeshjes vinin nga Tepelena, Memaliaj dhe Gjirokastra, si dhe e kishin ndeshjen e parë që abitronin në Kategorinë Superiore.

cungu

Deklaratat e Cungut:

“Sot ndodhi gjithçka, por ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte me Vllazninë. Me situata të tilla, me kundërshtarë pa asnjë motiv por që vijnë e i shtrëngohen një ekipi dhe lirohem me ekipe të tjera, normalisht që do të ishte shumë e vështirë për ne. Këtë ia kam bërë të ditur edhe ekipit gjatë gjithë javës, që këto janë ndeshje shumë të vështira, për të mos thënë më e vështira e gjithë sezonit. E tillë rezultoi në fakt.

Nuk mund të them se ishte ndeshja jonë më e dobët, pasi patëm raste pa fund, shtylla, ndoshta edhe penallti të mohuara… prandaj them që ndodhi gjithçka. Gjyqtarëve të ndeshjes u uroj shumë suksese, nuk kam asgjë kundër tyre. Ishte ndeshja e tyre e parë, por Vllaznia nuk është për të mësuar dorën njerëzit. Vllaznia duhet respektuar, siç duhet respektuar çdo ekip tjetër. Në këto kushte, në fundin e kampionatit nuk mund të marrësh arbitra nga Tepelena, Memaliaj apo prej nga janë, për të mbajtur Vllazninë pesë javë para fundit, kur dihet që jemi në garë për vendin e katërt me Luftëtarin.

Megjithatë ky nuk është absolutisht justifikim për ekipin tonë. Kemi edhe ne gabimet tona dhe me ato që treguam, besoj se nuk e meritojmë të jemi në Europë. Shumë e thjeshtë”.

Pengesë drejt vendit të katërt

“Të lësh pikë në shtëpi ndaj Korabit pesë javë para fundit të kampionatit besoj se e ndërlikon shumë ecurinë, pasi edhe kalendari është shumë i vështirë për ne. Tashmë çdo gabim kushton rëndë, sidomos në shtëpi. Mundësitë për të rikuperuar janë shumë të pakta. Megjithatë le të shpresojmë që kjo të na bëhet mësim të gjithëve pa përjashtim dhe të mundohemi të marrim më të mirën në pesë javët e mbetura. Nuk duhet të sillemi sikurse në dy javët e fundit.

Në fakt, është e çuditshme ajo që kemi bërë në këto javë, se si jemi sjellë në fushën e lojës edhe në Vlorë edhe sot ndaj Korabit. Nuk kemi të njëjtin shpirt, të njëjtin ritëm që kemi pasur në ndeshjet e tjera”.

Korabi luajti për llogari të Luftëtarit?

“Nuk e di, nuk thashë gjë për llogari të kujt ka luajtur. Nuk kam asgjë konkrete, ndaj s’mund të them. E kemi parë Korabin të shpërfytyrohet jo vetëm në një, por në disa ndeshje. Jemi rivalë me Luftëtarin, por nuk ka pse mërzitet askush, kushdo qoftë. Unë po them atë që di dhe mendoj.

E kam parë Korabin të shpërfytyruar në disa ndeshje, kurse sot donin të mbyteshin për të marrë pikë. U lumtë, në fund të fundit kanë luajtur për veten e vet. Por jemi paragjykuar sistematikisht edhe ne kur kemi luajtur për interesat tona dhe të askujt tjetër. Është e çuditshme, thashë edhe përpara, të vësh treshe gjyqtarësh nga Memaliaj apo Tepelena në një ndeshje të tillë…”.

Origjina e gjyqtarëve

“Është shumë e thjeshtë: për të mos pasur paragjykime të tilla, besoj se personat që caktojnë gjyqtarët duhet të jenë pak më të kujdesshëm. E theksova edhe më herët që nuk dua t’i kaloj fajet tona te të tjerët. Gabimi i sotëm fatal është përgjegjësi e jona – e klubit, imja dhe e lojtarëve në fushë. Por nuk duhen lënë hamendësime në këtë fazë të kampionatit, sepse vetë në mentalitetin tonë si shqiptar paragjykimin e kemi kollaj. Ndaj duhen të jenë më të kujdesshëm, kushdo qofshin ata që vendosin për gjyqtarët.

Nuk është hera e parë që ndodh, por ka ndodhur edhe disa herë të tjera. Duhet kujdes, sidomos tek ekipet që kanë objektiva. Nuk kam qejf të merrem me gjyqtarët, më vjen keq që ndodhin situata të tilla. Por nëse flasim për lojën, kemi dy penallti të mohuara për ne. Mund të jem edhe gabim, por në fillim të lojës ishte një bërryl fytyrës ndaj Çinarit. Ishte e dukshme. Edhe tri minuta shtesë janë pak, kur u bënë gjashtë ndërrime dhe plot faulle”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"