Cunami mbi futbollin shqiptar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 27, 2022 | 17:00

Cunami mbi futbollin shqiptar

Nga ARTAN SHYTI
Kryeministri i Shqipërisë, pardje, tha ca gjëra të rënda, por, përgjithësisht, të drejta për futbollin shqiptar. Personalisht nuk jam dakord me të që futbolli është një sport rrugaçësh. Përkundrazi, njoh brenda tij futbollistë, trajnerë, drejtues administrativë dhe presidentë seriozë të përkushtuar e që sakrifikojnë për ta zhvilluar këtë sport në Shqipëri.

artan shyti

Dhe këta janë shumica dërrmuese. Natyrisht, ka edhe ndonjë “rrugaç” në futboll, po të tillë ka në çdo fushë, për shembull, ndoshta në politikë ka edhe më shumë… Njëkohësisht, mendoj se sot futbolli është sporti më i rëndësishëm, më i organizuar e më i strukturuar në Shqipëri, në krahasim me sportet e tjera që prej vitesh janë për “gjynah”. Por, në të njëjtën kohë me potencial për të qenë cilësisht shumë më lart se aktualisht.

Kryeministri tha pardje edhe disa të vërteta të rënda. Ai, me të drejtë, por, njëkohësisht me vonesë, sipas meje, trajtoi problemin e financimit bashkiak të sportit. Duket se “gallatës” me lekët publike të taksapaguesve bashkiakë i ka ardhur fundi dhe futbolli (dhe jo vetëm ai) duhet t’i bëjë llogaritë e së ardhmes pa atë që është aktualisht burimi kryesor i financimit për sportin kombëtar: buxhetin bashkiak.

Lekët e taksapaguesve duhet të shkojnë për ambiente sportive, për sportin e fëmijëve, por jo për rroga sportistësh profesionistë. Konstatim shumë i saktë! Si një nga ata që e ka paralajmëruar këtë moment prej vitesh, më duket se futbolli dhe sporti shqiptar në përgjithësi është i papërgatitur për këtë “goditje fatale”.

Për vite me radhë drejtuesit e sportit në nivel qendror dhe lokal i kanë bërë llogaritë e ekzistencës së tyre vetëm bazuar mbi paratë që bashki “dorëlëshuar” kanë dhënë për sportin në mënyrë të gabuar dhe pa asnjë përfitim real për komunitetin.

Nëse kryeministri i qëndron kësaj që tha pardje, dhe gjasat janë që t’i qëndrojë, ky “cunam” financiar do të rrezikojë shkatërrim total të futbollit në Shqipëri, sidomos në nivel kategorish inferiore, nëse nuk mendohen, urgjentisht, rrugëzgjidhje të tjera financimi.

Për ata që drejtojnë futbollin pyetjet që lindin në këtë situatë janë shumë të vështira për t’iu përgjigjur: Çfarë kanë bërë apo do të bëjnë që të përballojnë klubet tona këtë goditje? Cilat do të jenë alternativat e financimit të futbollit, nëse, siç duket, paratë e bashkive do të ndërpriten?

Ndërsa pyetja që i duhet, ndoshta, bërë qeverisë është e thjeshtë: A mjafton vetëm konstatimi apo duhen masa të qarta dhe të studiuara që sporti dhe futbolli të fillojnë të funksionojnë si një aktivitet normal institucional demokratik në Shqipëri, pa u mbështetur vetëm në “injeksionet” financiare publike?

Qeveria nuk mundet vetëm të konstatojë situatën dhe ta lërë atë të vazhdojë të jetë problematike, sipas saj. Sepse, sporti nuk është “pronë” individësh që e drejtojnë, por është pasion i të gjithë atyre që e duan dhe zhvillojnë, dhe që, ndonjëherë, e duan edhe më shume se ata që e drejtojnë…

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"