“Çuna mos ndaloni. Vazhdoni luani fort”/ Osmani karikon Muçin, Halili zbret në dhomat e zhveshjes. Ja pikantet e sfidës Tirana-Laçi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 26, 2021 | 22:30

“Çuna mos ndaloni. Vazhdoni luani fort”/ Osmani karikon Muçin, Halili zbret në dhomat e zhveshjes. Ja pikantet e sfidës Tirana-Laçi

* Rasti i minutës së parë nga Muçi dhe Osmani i tërheq vëmendjen: “Muçi çfrë bën? Është gol ai. Rast për gol…”

Osmani

* Një top i diskutueshëm i rikthehet Laçit nga kryesori Xhaja, gabimisht pasi u duhej dhënë bardhebluve. Sherri bën “Fair Play” dhe ua dorëzon vendasve.

* Raste të humbura nga bardheblutë dhe Osmani karikon Muçin: “Hajde Muçi, hajde! Nuk ka gjë! Luaj! Forca!”

Muci

* Tensioni i minutës së 21- të, ku Nuabueze goditi Vrapin pa top, solli protestën në masë të thuajse të gjithë stolit të Tiranës. Kale më aktivi që kërkon tek anësori dhe arbitri i katërt një karton të kuq për sulmuesin e kurbinasve. Duro i drejtohet Kalesë: “Rri urtë aty se ishte në mesfushë. Ça kartoni kërkon?!” Duro më pas i drejtohet edhe delegatit: “O Marjus (Sulejmani), shihe të aty, të mos flasë shumë”.

* Në një moment, bardheblutë nuk kuptohen mes tyre në fushë dhe Osmani e ka me Muçin: “Muçi lëri llafet. Nuk ka llafe. Ajo iku, tani mendjen te loja për aksionin tjetër”.

* Anësori gabon me rivënien anësore dhe ia jep Laçit, por ishte për bardheblutë. Xhaja korrigjon dhe urdhëron që sfera të rivihet në lojë nga vendasit.

*27′ Momente tensioni mes mbrojtësit Selmani dhe futbollistit të Tiranës Ernest Muçi. Zgjidhet shpejt dhe situata qetësohet.

* Në minutën e 37-të, Nuabueze akordohet në pozicion jashtë loje nga anësori dhe nga të pranishmit në tribunën VIP ka kontestime. Mirëpo Duro i qetëson: Ishte ofsajt.

* Në pushim të ndeshjes, presidenti Halili shkon në zyrën e tij dhe nuk zbret në dhomat e zhveshjes. Ishte kapiteni Batha që iu bashkua ekipit në 15-minutëshin e pushimit.

* Nuabueze, në mesin e pjesës së dytë, heq fashën me të cilën kish lidhur këmbën e tij për dëmtimin që kishte. Sulmuesi ka sakrifikuar për këtë takim. Pak minuta më vonë, edhe zëvendësohet.

Nuabueze Najdovski

* Mungesa e saktësisë nga bardheblutë në vijën e parë të sulmit, Osmani që bërtet për zgjidhjet që duhen bërë, por kur nuk merr reagimin e duhur irritohet tej mase dhe përplas shishen në tokë.

* Minuta e 78-të. Lojtarët bërtasin nga të dyja kampet. Bekaj bën thirrje të tijve të organizohen. Nga ana tjetër, Nuabueze u kërkon qetësi të tijve: Rrini të qetë. Luani me qetësi. Por të kundërtën kërkon kapiteni Ignjatoviç, i cili pas një topi të humbur në sulm thërret: Çuna mos ndaloni. Vazhdoni luani fort.

* Sa shumë trajnerë të pranishëm në stadium. Në tribunën VIP është ai i Apolonisë, Kamarata në shoqërinë e presidentit Koço Kokëdhima. Më tej, në shkallët e “Selman Stërmasit” edhe ishbomberi i Tiranës dhe Kombëtares, Alban Bushi apo edhe ish-trajneri Julian Ahmataj, aktualisht në krye të Skënderbeut. Në tribunë është edhe Bledar Devolli.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"