“Çudira shqiptare”/ Grushte mes njëri-tjetrit, ja çfarë ndodhi në Kukësi-Bylisi. Rroca dëmtohet dhe mund t’i kushtojë shumë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 11, 2020 | 10:29

“Çudira shqiptare”/ Grushte mes njëri-tjetrit, ja çfarë ndodhi në Kukësi-Bylisi. Rroca dëmtohet dhe mund t’i kushtojë shumë

“Çudira shqiptare”, miqësorja kthehet në… armiqësore. Kukësi dhe Bylisi kishin rënë dakord që të luanin dje një ndeshje testuese në fushën asnjanëse të Librazhdit. U luajt futboll deri në minutën e 50-të, sepse më pas plasi grushti në fushë mes lojtarëve.

Kukesi

Pjesa e parë përfundoi me fitoren e ballshiotëve 0-1, pas golit të shënuar me kokë nga nigeriani Ntepe. Deri këtu gjithçka OK, për të ardhur tek ai incident në fillimin e pjesës së dytë që i detyroi stafet teknike të urdhëronin mbylljen e takimit. Si për ironi të asaj që ndodhi, miqësorja u gjykua edhe nga një arbitre femër, pikërisht Emanuela Rusta e Kolegjiumit të Elbasanit.

Në momentin e sherrit Rusta nuk ishte në fushë, pasi ishte zëvendësuar nga Astrit Mahmutaj. Ky i fundit gjykoi pjesën e dytë vetëm 5 minuta, pasi sherri ndërpreu gjithçka. Por çfarë ndodhi realisht në fushën e Librazhdit dhe pse precipitoi situata? “Panorama Sport” zbardh të gjithë dinamikën e incidentit.

SHERRI MASIV

Shkëndijat e një loje të fortë që herë pas here kalonte limitet ishin dhënë në pjesën e parë, por në minutën e 50-të çdo gjë degradoi. Mesfushori i Bylisit, Donald Mëllugja, bën një ndërhyrje të rëndë nga mbrapa kundër Eduard Rrocës së Kukësit. Ky i fundit acarohet keq dhe menjëherë i kthehet Mëllugjës. Këtu plas, pasi lojtarët goditen me grushte, ndërsa rol protagonisti marrin edhe Bruno Telushi e Stivian Janku, të cilët të ndodhur më afër aksionit, nisin të përleshen.

Më pas në fushë është një kaos i vërtetë, pasi afrohen të gjithë lojtarët e të dyja skuadrave dhe stafet nga pankinat respektive. Gjyqtarët ishin të pafuqishëm për të vepruar, ndërsa për oficer sigurie, as që bëhej fjalë, pasi organizimi i ndeshjes ishte i një niveli të ulët.

Vazhdimi i lojës nuk kishte më kuptim dhe të dy trajnerët urdhëruan lojtarët të shkonin drejt dhomave të zhveshjes. Teksa lojtarët e Kukësit nxituan në dhomat e zhveshjes, e më pas në autobus, ballshiotët vazhduan edhe për disa minuta me vrapime të lehta rreth fushës. Në përfundim të takimit askush nga pjesëtarët e stafeve nuk pranoi të prononcohej, aq më tepër trajnerët përkatës.KUPER RROCA

DËMTOHET RROCA

Gazeta mëson se Rroca ka pësuar një dëmtim, shkallën e të cilit do ta zbulojë sot pas kontrollit që do të bëjë. Fantazisti i Kukësit po kalon një formë të mirë dhe është drejt transferimit te një ekip turk, që ofron 130 mijë euro për kartonin, prandaj dhe një dëmtim në këtë moment do t’i kushtonte shumë.

Burime pranë lojtarit tregojnë se ai është trembur shumë pas ndërhyrjes së Mëllugjës, duke menduar se kishte një dëmtim në gju, por me kalimin e minutave, nuk ka ndier më dhimbje. Gjithsesi, çdo gjë do të konfirmohet ditën e sotme.

LEDION QOSHKU-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"