Çudira shqiptare, Luiza Gega: Nuk kam rivalë as në stërvitje, asnjë djalë nuk matet dot me mua

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 24, 2019 | 20:14

Çudira shqiptare, Luiza Gega: Nuk kam rivalë as në stërvitje, asnjë djalë nuk matet dot me mua

Disa ditë më parë, atletja Luiza Gega hapi sezonin e garave ndërkombëtare me pjesëmarrjen e saj në “Diamond League”, që u zhvillua në Shangai. Sportistja kuqezi garoi në disiplinën e 3000 metrave me pengesa, ku u rendit e dhjeta, duke regjistruar kohën 9:34:94.

luiza gegaa

Ndonëse vinte në këtë event mes problemesh të shumta për shkak të mungesës së kushteve për një përgatitje optimale, Gega arriti të sigurojë pa u sforcuar një rezultat që i mundësoi kualifikim për në kampionatin botëror, që do të mbahet në Katar.

Pas kthimit nga Kina, në një intervistë për “Panorama Sport”, atletja më e mirë shqiptare flet për formën, objektivat, problematikat e shumta që e shoqërojnë në stërvitjen e përditshme dhe i bën apel shtetit që të kthejë kokën nga sporti dhe të vlerësojë sportistët elitarë.

Luiza, hapët sezonin ndërkombëtar me “Diamond League” në Shangai. Jeni e kënaqur më rezultatin e arritur?

Ishte gara e parë, ku me trajnerin e kishim vendosur të bënim një test para fillimit të garave të qershorit. Periudha e stërvitjes para eventit në Shangai ka qenë e vështirë, pasi koha ishte shumë e ftohtë dhe e lagësht, totalisht kundër asaj që kërkohet për një stërvitje ideale.

Mungesa e infrastrukturës në Tiranë e bëri të domosdoshme të stërvitem në Korçë e Dardhë, ku temperaturat janë vërtet shumë të ulëta. Në lidhje me garën jam e kënaqur, pasi arrita shumë lehtë kualifikimin për në kampionatin botëror, standard i cili ishte 9.40.00, ndërsa unë dhashë rezultatin 9.34. Gjatë garës u panë disa mangësi që do të përmirësohen gjatë sezonit në vazhdim, por në përgjithësi jam e kënaqur për çfarë arrita atje.

luiza gega

Si është forma juaj aktuale?

Forma ime është shumë e mirë dhe çdo ditë po përmirësohem në elementë që janë shumë të rëndësishëm në arritjen e rezultatit të lartë.

A është penalizuese për ju mungesa e rivalitetit në Shqipëri, duke qenë se keni diferenca të jashtëzakonshme me kundërshtaret?

Fatkeqësisht po, sepse përtej mungesës së infrastrukturës, duhet edhe të stërvitem vetëm. Çdo sportist distancash, për më tepër ato elitare, si unë, në botë kanë një atlet tjetër që i ndihmon për ritmet e stërvitjes. Në Shqipëri nuk mund të gjej asnjë djalë që mundet të më ndihmojë në stërvitje, pasi janë shumë më të dobët se unë dhe kjo e bën edhe më të vështirë stërvitjen për të arritur nivelet e kërkuara.

Cilat janë objektivat e radhës?

Si objektiva kam thyerjen e rekordit kombëtar dhe renditjen në Europë me rezultatin më të mirë të vitit. Kualifikimi për në Lojërat Olimpike është çështje kohe, i cili do të ndodhë në garën e radhës, që do të bëj jashtë vendit. Ndërsa synimi kryesor është Botërori i Atletikës në Katar, ku pres të jem finaliste për të parën herë dhe mundësisht të jem në 8 vendet e para.

luiza-gega

Cilat janë vështirësitë më të mëdha që hasni në këtë sport?

Vështirësitë janë të shumta si infrastruktura e shkatërruar sportive, baza materiale e munguar, mjekësia sportive dhe kapacitetet financiare për të përballuar stërvitjen janë shumë të vogla. Një tjetër nga problemet më të mëdha është ligji i sportit për sponsorizimet, pasi pa sponsor, nuk mundesh të plotësosh programin stërvitor brenda dhe jashtë vendit.

Duke parë gjithë këto probleme, a keni menduar ndonjëherë të garoni për ndonjë flamur tjetër?

E kam thënë edhe herë tjetër që ofertat s’kanë munguar nga disa shtete për të përfaqësuar ndonjë flamur të një vendi tjetër. Ata, duke parë potencialin tim, që me kushte shumë të vështira jam një ndër atletet më të mira në Europë, sigurisht kanë qenë shumë të interesuar të jem pjesë e kombëtareve të tyre.

luiza gega

Megjithatë, e kam vendosur që në fillim që unë do jem e do vdes shqiptare dhe nuk do të dorëzohem prej disa burokratëve që rrinë në zyra për të marrë rrogën, të cilët e kanë lënë sportin si diçka të dorës se dytë. Kanë një smirë për të gjithë sportistët që po kontribuojnë kaq shumë për rritjen e imazhit të Shqipërisë nëpër botë. Çfarëdo që të ndodhë, do të jem një sportiste që do të përfaqësoj ngjyrat kuqezi në olimpiadën “Tokyo 2020” dhe botërorët e radhës në atletikë.

Cili është apeli juaj për shtetin?

Investimi në sport nuk ka lidhje vetëm me sportin si aktivitet fizik, por ka lidhje me investimin në të ardhmen e popullatës së re, që po lind e rritet ne Shqipëri. Brezi i ri po rritet më i pashëndetshëm se kurrë. Apeli që kam unë për organet vendimmarrëse në sport, është që të investohet në burime njerëzore (trajnerë), të vlerësohen ata që kanë kontribut në sport, të promovohen si vlerë e shtuar e shoqërisë dhe jo të promovohet antivlera.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"