Çudira nga Kat. III / Trajneri në mes të fushës, sulmuesi bëhet portier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 8, 2017 | 14:23

Çudira nga Kat. III / Trajneri në mes të fushës, sulmuesi bëhet portier

Ndeshja e Kategorisë së Tretë mes Termit dhe Klosit është mbyllur me fitoren e këtyre të fundit në shifrat 4-3. Por stafi teknik i Termit ka akuzuar gjykimin për ndikimin në rezultat, duke qenë se dy prej golave që përmbysën edhe rezultatin janë shënuar në minutat shtesë.

Madje, kur ekipi i Klosit ka shënuar golin e barazimit, trajneri i Termit, Bozhani, i ka rënë fushës mespërmes për të shkuar në dhomat e zhveshjes dhe është dëgjuar të thotë: Nëse doni t’jua lejmë, jua lejmë vetë dhe jo të bëni një gjykim skandaloz.

Sa i takon ndeshjes, Termi ka arritur të dominojë takimin deri në minutën e 76-të, kur rezultati ishte 3-1, por më pas gjërat kanë ndryshuar.

Termi - Klosi skeda

Çudia

Por përveç polemikave të drejtuesve të Termit për gjykimin, në këtë ndeshje ka pasur edhe një çudi tjetër. Në minutën e 44-t, kur rezultati ishte 1-1, portieri i Termit, Xhaferri, është ndëshkuar me kartonin e dytë të verdhë, pasi ka kapur me dorë topin e kthyer tek ai nga një prej mbrojtësve të skuadrës së tij. Duke qenë se ekipi nuk kishte në dispozicion në stol një portier rezervë, atëherë trajneri Bozhani ia ka ngarkuar këtë detyrë sulmuesit Klejdi Koçi, i cili kishte shënuar edhe golin e parë për skuadrën e tij.

Por edhe pse nuk kishte eksperiencë në këtë pozicion, Koçi ka arritur ta mbajë për plot 35 minuta të paprekur portën dhe më pas është thyer.

“Edhe pse bëra gjithçka për skuadrën time, më erdhi keq që u masakruam nga gjykimi. Nuk duhej kurrsesi që skuadra jonë ta humbiste këtë ndeshje. Ne e shpartalluam Klosin kur ishim me 11 lojtarë, duke qenë në epërsi 3-1. Më pas gjithçka u vendos nga arbitrat”, ka thënë në një prononcim për “Panorama Sport” Koçi.

Takimi i djeshëm u luajt në kushte mjaft të vështira të motit.

ABDULLA DUSHKU

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"