Çudira në futbollin shqiptar, Pogradeci akuzon për humbjen me Apoloninë Laver Allën, por…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 10, 2020 | 23:19

Çudira në futbollin shqiptar, Pogradeci akuzon për humbjen me Apoloninë Laver Allën, por…

Fitore e merituar e Apolonisë ndaj Pogradecit dhe vendi i parë. Fierakët po kalojnë momentin më të mirë, me disa fitore radhazi, ndërsa pogradecarët kanë gjetur “shkaktarin” e humbjes në “Loni Papuçiu”. Sipas tyre, ai paska qenë arbitri lushnjar Laver Alla, i cili nuk ishte fare në Fier! Në një ndeshje aq emocionuese për vendin e parë, me një publik të zjarrtë dhe atmosferë të ndezur, vendimet e kryesorit Blerim Ziri janë kontestuar gjithë kohën nga tifozët miq, rreth 20 të pranishëm në këtë ballafaqim. Të pakënaqur nga gjykimi, tifozët e Pogradecit, por edhe pjesëtarë të stafit drejtues të tij, kanë anatemuar dhe akuzuar Laver Allën!

79741035_2558801481014447_219286461604691968_o

Lajthitje apo çfarë? Ndeshjen Apolonia-Pogradeci e gjykoi Blerim Ziri, jo Laver Alla. Madje, janë fierakët që duhet të shprehnin indinjatë ndaj gjyqtarit Alla, kryesori që ka drejtoi ndeshjen Pogradeci-Apolonia në “Gjorgji Kyçyku” dhe akordoi penallti në minutën e fundit për vendësit. Një treshe gjyqtarësh nga Lushnja, me në krye Laver Allën, që gjykonte takimin Pogradeci-Apolonia, është absurdi më i madh, pasi Lushnja garon në të njëjtin kompeticion. Pogradeci fitoi 2-1 atë ndeshje të gjykuar nga Alla dhe Lushnja krijoi në atë kohë një diferencë prej 5 pikësh ndaj Apolonisë dhe liqenorëve.

ÇUDIA – Pse akuzojnë Laver Allën liqenorët? Kaq ankesa ndaj Allës nuk kanë bërë as fierakët, të cilët humbën me një penallti “fantazmë” në Pogradec, fazën e parë. Me sa duket, liqenorët e pranojnë në heshtje se gjyqtari që i gjykoi fazën e parë (Alla) u dha fitore mbase të pamerituar për të ulur Apoloninë, rivale asokohe me Lushnjën. Po këtë herë, ku qe roli i Allës?! Fakti që pogradecarët kanë përmendur emrin e tij, komprometon vetë liqenorët, fitoren e tyre fazën e parë, ose le të japin argument tjetër pse e akuzojnë gjyqtarin lushnjar. Në një ndeshje rivalësh, të luftuar fort, Apolonia nuk vodhi asgjë.

PRETENDIMET Lojtarët e Pogradecit rrëzoheshin kot, duke pretenduar 4-5 penallti. Ndoshta 1 gol do ta kishin shënuar, po të mos bënin më të vështirën. Dobësinë e sulmit e pranoi edhe trajneri Abazaj pas ndeshjes. Sipas pogradecarëve, Apolonia e fitoi ndeshjen nga Laver Alla, po fazën e parë, prej cilit fitoi Pogradeci? Çudira shqiptare në të Parën, akuzohet një gjyqtar që nuk gjykon, humbjen rrallë ose kurrë e pranojnë dhe përpiqen të gjejnë “shkaktarët”.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"