Çudia me Laçin, 4 vite radhazi që kurbinasit e mbyllin me Teutën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2019 | 14:16

Çudia me Laçin, 4 vite radhazi që kurbinasit e mbyllin me Teutën

Federata Shqiptare e Futbollit, me sa duket, ka gjetur rehatinë me skemën e hedhjes së shortit, pasi nga sezoni në sezon po mbarten përballjet identike mes skuadrave.

laci

Ashtu si një vit më parë, edhe tani Laçi në javën e katërt pret Partizanin në shtëpi. Kampionati i 81-të nuk ka nisur mbarë për kurbinasit, ku pas tri javësh të luajtura skuadra e drejtuar nga trajneri Sulejman Starova akoma nuk e ka shijuar fitoren e parë, gjë të cilën synon ta arrijë në ndeshjen e radhës me Partizanin. Por, le të kthehemi sërish te çuditë që servir kalendari i Kategorisë Superiore për Laçin.

Është e habitshme se si goglat për të katërtin vit me radhë i detyrojnë bardhezinjtë ta mbyllin sezonin përballë Teutës. Sezoni 2016-2017 u mbyll në shtëpi për Laçin, duke fituar 2-1 ndaj Teutës dhe me këtë rezultat të dyja ekipet mbijetuan me 40 pikë të grumbulluara. Edhe një vit më pas, edicioni 2017-2018, Laçi ndeshjen e fundit e luajti në shtëpi ndaj durrsakëve, duke fituar në shifrat 4-2.

Në sezonin e shkuar, 2018-2019, kurbinasit e mbyllën sërish ndaj Teutës, por kësaj radhe në Durrës, ku u mundën 2-0. Sipas kalendarit, edhe këtë edicion Laçi e mbyll me Teutën në transfertë. Gjithsesi, ka kohë për të menduar fundin me durrsakët, ndërsa tani gjithë vëmendja është përqendruar te Partizani, ku kërkohet të merret fitorja e parë për këtë edicion të ri futbollistik.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"