ÇUDIA/ Dinamo humbet edhe kur nuk e mundin…!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 27, 2022 | 20:49

ÇUDIA/ Dinamo humbet edhe kur nuk e mundin…!

Skuadra po rritet dhe me lojën që zhvillon na jep besim për vazhdimin e kampionatit!” Është kjo fjalia që tifozët e Dinamos e kanë dëgjuar si refren që në fillim të kampionatit. E ka thënë trajneri i parë Bledi Shkëmbi, më pas Bledar Devolli dhe tani vjen nga goja e Rodolfo Vanolit.

LACI DINAMO

Vetëm se realiteti është krejt i kundërt: Dinamo jo vetëm që nuk e ka konkretizuar rritjen e saj me pikë në renditje, por po vendos rekorde negative në sezonin ndoshta më të zi të historisë së saj. Mjafton të përmendim 6 humbjet radhazi që blutë kanë pësuar së fundmi. Ajo që duket si e pabesueshme në këtë ecuri të Dinamos lidhet me faktin se sa lehtë kjo skuadër humb. Përtej brishtësisë së bluve në mbrojtje dhe në tërësi si skuadër, është e vështirë të shpjegohet humbja në disa ndeshje, ku kundërshtari nuk bën asgjë për të fituar dhe të paktën barazimi duket në “xhep”.

dinamo

Edhe në këto ndeshje Dinamo humb! Blutë dalin pa pikë edhe kur kundërshtarët nuk e mundin, pasi janë vetë ata që “mendojnë” si të vetëndëshkohen. Humbje tipike të kësaj natyre janë ato ndaj Teutës, të tria me rezultatin 1-0. Në rastin e fundit ndeshja u vendos nga gafa e portierit Simoni. Durrsakët nuk bënë thuajse asgjë, ashtu si në fazën e tretë, kur fituan me një rast të vetëm, të finalizuar nga Emiljano Vila, ndërsa Dinamo shpërdoroi pa fund dhe u ndëshkua me një gabim.

Po kështu edhe ndeshja e fazës së dytë me Teutën. Humbja 0-1 me Laçin në Elbasan dhe ajo me Kastriotin në të njëjtin stadium dhe me të njëjtin rezultat janë gjithashtu “harakiri” të bluve. Kuptohet që fati ka pjesën e vet në gjithë këtë histori, por nuk e justifikon këtë lloj “hipnotizimi” në kaq shumë ndeshje. Janë pikërisht këto lloj humbjesh që e sollën situatën deri te rënia, që në fillim të sezonit askush nuk e mendonte.

dinamo

LOJTARËT QË DO TË IKIN

Për sa i takon grupit, situata është më e qartë. Shumë prej atyre që përbëjnë grupin aktual të Dinamos do të largohen, por për emrat duhet pritur edhe pak. Disa lojtarë nuk u janë përgjigjur pritshmërive të klubit dhe është logjike të mendosh se kontrata mund të ndërpritet.

Njëri nga këta me siguri do të jetë mbrojtësi malazez, Aleksandër Sofranak. Disa të tjerë mund të kenë pretendime për të luajtur në Superiore. Revolucioni në grupin e lojtarëve të Dinamos pritet të jetë radikal. Shumë pak lojtarë do të qëndrojnë dhe kryesisht do të jenë ata me moshë të re. Pritet që klubi të bazohet tek elementët e Dinamos U-21 dhe te merkatoja, që këtë herë pritet të jetë e studiuar mirë me qëllimin për të shmangur gabimet e rënda të sezonit që po lëmë pas.

FATJON RUPI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"