Crvena Zvezda bëhet çështje kombëtare, FSHF-ja “asist” Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2020 | 0:20

Crvena Zvezda bëhet çështje kombëtare, FSHF-ja “asist” Tiranës

Mundja e Crvena Zvezdës bëhet çështje kombëtare në Shqipëri. Stafi i Tiranës është duke punuar ethshëm për të gjetur pikat e dobëta. Veç punës së stafit teknik të skuadrës dhe analizës së Egbosë, Xhafës, Janit e Osmanit, në lojë është futur edhe artileria e rëndë, duke e kthyer zbërthimin e lojës së Crvena Zvezdës në çështje kombëtare. Në ndihmë Tiranës i ka ardhur Federata Shqiptare e Futbollit.
dd-1
Ka qenë posaçërisht Alariko Rosi, drejtori i statistikave dhe videoanalizës në FSHF dhe videoanalisti i Kombëtares ai që po punon mbi takimet e Crvena Zvezdës në kampionat dhe Europë. Ky i fundit të gjitha të dhënat ia kalon stafit të Tiranës që më pas i analizon me lojtarët në detaj. Nuk është vetëm Rosi ai që po punon me kundërshtarët. Dy miq të Kosta Janit, trajnerit të përgatitjes fizike, kanë ndihmuar më parë Tiranën dhe me shumë mundësi do të vazhdojnë ta ndihmojnë skuadrën bardheblu. Bëhet fjalë për Dimitris Xourisin dhe Nikos Tsatalisin. Këta të fundit kanë analizuar me kujdes ekipin e Tbilisit dhe po vazhdojnë ta bëjnë edhe me Crvena Zvezdën. Shkurt, analiza e kundërshtarit të Tiranës është kthyer në një çështje për bardheblutë.
Tiranafest
Prej ditës së grumbullimit, skuadra është duke punuar në çdo detaj. Ajo ka parë çdo të veçantë të kundërshtarit, madje lojtarëve të caktuar po u jepet udhëzim se si duhet të mbulojnë dhe sulmojnë. Trajnerët kanë vënë në zbatim çdo mjet të mundshëm për të qartësuar nga ana taktike lojtarët. Kujtojmë se Tirana në takimin e fundit me Tbilisin kishte analizuar në detaj kundërshtarin. Duke pasur në formacion tre 19-vjeçarë, stafit të Tiranës i është dashur shumë punë që t’i qartësojë taktikisht. Një rast është Muçi, i cili ka punuar shumë për të bërë gjëra të mëdha në fushën e lojës. Gjithsesi, duke lënë fjalët, Tirana është munduar që çdo lëvizje ta ketë në dorë. Skuadra bardheblu dhe trajneri Emanuel Egbo shpreson shumë te një rezultat i madh në sfidën me Crvenën. Edhe nëse nuk ia del, Tirana do të luftojë për të kaluar raundin e tretë të Europa League. Bardheblutë kanë si qëllim kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Europës.

OLSI AVDIAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"