Çoçlli: Mendjen te Partizani, në Fier me formacion “miks”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2020 | 12:02

Çoçlli: Mendjen te Partizani, në Fier me formacion “miks”

Në pritje të “shkrirjes” së merkatos së janarit, bluzinjtë e dyshes Çoçlli-Novi janë duke vijuar përgatitjet normalisht për dy ndeshjet e radhës. Sot bluzinjtë do të jenë mysafirë në Fier, aty ku dhe do të përballen me Apoloninë vendëse në kuadër të ndeshjes së parë të Kupës së Shqipërisë. 

Coclli-Nikolin-trajneri-i-Partizanit

E diela për të besuarit e trajnerit Nikolin Çoçlli rezervon përballjen me të kuqtë e Partizanit, e vlefshme për javën e 20-të të fazës së tretë. Një përballje që po merr për ditë vlerësimin dhe përqendrimin maksimal për bluzinjtë, sepse një tjetër rezultat jopozitiv me Partizanin do të thotë një Luftëtar gjithnjë e më shumë drejt rrëshqitjes në Kategorinë e Parë. Parë në këtë këndvështrim, trajneri Çoçlli për “Panorama Sport” një ditë para ndeshjes me Apoloninë foli për gjendjen e skuadrës.

“Pozitat në klasifikim na imponojnë që të fokusohemi në ndeshjet e kampionatit. Partizani është kundërshtari ynë në fundjavë dhe si i tillë meriton gjithë vëmendjen dhe përkushtimin tonë të përditshëm për të përgatitur sa më mirë sfidën ndaj tyre. Kjo s’do të thotë se në Fier do të shkojmë thjesht për vizitë. Përkundrazi, me formacion ‘miks’, pjesë e të cilit do të jenë dhe lojtarët që kanë marrë pak kohë. Kryesisht më të rinjtë do të kenë shansin që të shfaqin vlerat e tyre”, u shpreh fillimisht Çoçlli. Mungesa të sigurta sot në Fier janë Dragoshi dhe Qato, të cilët vijnë pas dëmtimeve në ndeshjen me Tiranën dhe po kryejnë terapi në kryeqytet.

luftetar

MERKATO – Në kampin bluzi, shqetësimi që kërkon zgjidhje imediate është bllokimi i merkatos. Edhe pse aktualisht s’mund të thuhet asgjë konkrete për zgjidhjen e këtij ngërçi është trajneri i bluzinjve, ai që shpreson dhe beson në dhënien fund të bllokimit të merkatos. “Jemi në pritje nga momenti në moment të zhvillimeve të reja sa i takon merkatos. Për momentin, asgjë konkrete s’mund të them”, tha ai. Më herët para ndeshjes me Tiranën, ish-trajneri i 17-vjeçarëve të Partizanit pati thënë: “Çdo zvarritje në merkato është në dëm të skuadrës, në dëm të klubit dhe në dëmin tim si trajner”. Një hall më vete ky për Luftëtarin, referuar situatës së nderë në tabelën e klasifikimit.

Tomor Shehu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"