“Ç’na tha Bizhdili”, Tafili: Ju tregoj bisedën që bëmë në analizë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2020 | 15:18

“Ç’na tha Bizhdili”, Tafili: Ju tregoj bisedën që bëmë në analizë

Alsid Tafili “skanon” Besën. Vërtet barazuan me Egnatian, por në Kavajë e kanë marrë me sportivitet maksimal. Nuk ka vend për dramë e as për kritika. Kjo është konstatuar edhe prej fjalimit që ka mbajtur presidenti Nexhat Bizhdili në të parën seancë stërvitore të kësaj jave.

Tafili Bes

Një pjesë të bisedës që është zhvilluar, na e rrëfen për “Panorama Sport” mesfushori me përvojë nga Shkodra: “Javën e filluam me një minianalizë, ku presidenti na përgëzoi për lojën. Ai u shpreh i kënaqur nga angazhimi ynë, dëshira e shfaqur në fushë, por kuptohet se Bizhdili kërkon edhe pikët.

Ai na motivoi më shumë teksa u shpreh se kur një barazim vjen me grintë, angazhim e në një terren optimal, ai ndihet mirë. ‘Unë kam besim absolut te ju dhe pres të ktheheni te fitoret’. Kaq tha presidenti dhe na uroi stërvitje të mbarë”. Ai na zbulon edhe “sekretin” e ekipit, ndërsa qartëson se te verdhezinjtë ka vetëm ushtarë.

“Për një futbollist, kur nuk i mungon stërvitja serioze, kushtet e akomodimit, trajtimi financiar, një fjalë e ngrohtë nga stafi dhe presidenti, kanë ndikim mjaft të madh. Nga përvoja në shumë klube, konstatoj me kënaqësi se Besa funksionon vërtet si një familje. Nuk ka dallime mes ne lojtarëve me përvojë dhe të rinjve, pasi të gjithë ndihmojmë, mbështesim e motivojmë njëri-tjetrin.

Te Besa nuk ka ‘gjeneralë’, por vetëm ‘ushtarë’ dhe secili mundohet të bëjë maksimumin në fushë, me synim të qartë rezultatin pozitiv”, tha 33-vjeçari. Nuk kishte si të mos ndalej te ndeshja që luajnë nesër në Berat, ndërsa thekson se ka ikur koha e ndeshjeve ku besohej 100% te fitorja.

“Besojmë te kthesa, edhe pse do të jetë e vështirë. Duhet të jemi të kujdesshëm, të qetë, të sigurt në lojën tonë. Edhe pak pragmatistë në transferta nuk është keq, pasi nuk mund të krijosh raste shënimi sa të duash ti. Një fitore në Berat do na bënte të arrinim kreun pas fazës së parë. Besa e ka gjithnjë detyrim fitoren dhe me këtë synim do udhëtojmë. Do t’ia bëjmë hyzmetin deri në minutën e 90-të kësaj sfide”, përfundon Tafili.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"