“Ç’mu desh Milani?!” Bobani i surprizon të gjithë me deklaratën: Ja çfarë ndodhi me Xhampaolon

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 12, 2019 | 10:20

“Ç’mu desh Milani?!” Bobani i surprizon të gjithë me deklaratën: Ja çfarë ndodhi me Xhampaolon

Gjatë Festivalit të Sportit që po zhvillohet në Trento gjatë këtyre ditëve, ka qenë i pranishëm edhe Zvonimir Boban. Drejtori kuqezi për një moment ka bashkëbiseduar në skenë me gazetarin e njohur italian Mario Skonçerti, i cili para se të niste pyetjet për kroatin, ka sqaruar:

Boban

“Një gazetar duhet që mbi të gjitha të mendojë mirë përpara se të kërkojë përsetë. Për shembull, përse Boban ndodhet te Milani?” Boban, pa u menduar gjatë, replikon: “Ndonjëherë e pyes veten edhe unë”. Menjëherë kroati tentoi të korrigjonte fjalët, duke i cilësuar si batutë, përpara se të shpjegonte:

“Në fakt, më pëlqen të jem pjesë e Milanit dhe bëra humor…” Që nga ky moment ilariteti, biseda mes gazetarit dhe Bobanit bëhet serioze, me kroatin që jep edhe një intervistë të shkurtër gjatë së cilës shpjegon shumë aspekte të Milanit dhe momentin negativ që skuadra po kalon.

Si e shpjegoni këtë ecuri të Milanit?

Po përjetojmë një moment të vështirë. Shkarkimi i një trajneri është humbje për të gjithë ne, por ishte një zgjedhje e ndërmarrë bashkërisht dhe jo vetëm nga unë. Xhampaolo mbetet një trajner i zoti, por neve na u desh të vepronim për të mirën e Milanit. Duam rezultate, por i duam nëpërmjet lojës.

Puna e drejtuesve nuk po jep ende frytet e shpresuara…

Unë punoj për t’i rikthyer madhështinë Milani. Kam pak kohë që jam pjesë e bordit të klubit dhe më duhet ende të punoj shumë. Madje, në disa drejtime, sepse dukshëm nuk është ky maksimumi që mund të bëjmë.

Çfarë ndodhi me Xhampaolon?

Kur gjërat nuk ecin, faji është i të gjithëve. Gabon trajneri, ashtu si lojtarët apo edhe ne drejtuesit. Siç thashë, shkarkimi i Xhampaolos është një disfatë për të gjithë ne, aq më tepër që herën e parë që u takuam i pata thënë se shpresoja që të largohesha nga Milanoja së bashku me të. Të njëjtin urim i kam bërë edhe Maldinit, ndaj tani le të shohim përpara e të bëjmë sa më mirë me trajnerin e ri.

A janë të rinjtë e shumtë problemi i rezultateve të Milanit?

Nuk mund ta themi këtë. Futbolli ka ndryshuar dhe nuk është më si dikur. Uroj që të jemi të zotë, duke kuptuar disa gjëra përpara të tjerëve.

Cili është defekti i projektit kuqezi?

Kemi nevojë për kohë dhe askush nuk ka premtuar suksese të menjëhershme. Jemi një ekip me moshë relativisht të re, madje jemi më të rinjtë në Serinë A. Po krijojmë një cikël dhe jemi në proces e sipër, por nuk kemi shkop magjik.

Tifozët janë të shqetësuar. E ndieni të premtoni diçka?

Mund të them se po punojmë të gjithë shumë. Do të bëjmë gjithçka kemi në dorë për të ringritur Milanin, madje sa më herët që të jetë e mundur. Siç thashë, ky është një proces e ne duhet të krijojmë një skuadër e cila të rritet vazhdimisht me kalimin e kohës.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"