“Çmontohet” ekipi i Kategorisë së Parë, largohet edhe portieri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 5, 2021 | 20:31

“Çmontohet” ekipi i Kategorisë së Parë, largohet edhe portieri

Erzeni rezulton si një nga ekipet me më shumë largime në organikë në këtë merkato vere, pasi i janë “çmontuar” thuajse të gjitha repartet. I radhës lojtar që shpall “divorcin” është Elidon Selaci, ndonëse shpresat ishin që të qëndronte.

erzeni

Me të, numri i largimeve shkon në 5, ndërsa kujtojmë që më herët ikën edhe Xhino Ngjela, Mirjan Hima, Ardit Osmani dhe Mateus Levendi.

Portieri shihej si një element shumë i rëndësishëm për sezonin e ardhshëm. Shtatlarti ishte titullar i padiskutueshëm dhe 1800 minuta në 20 ndeshje të luajtura janë dëshmia më e mirë. Gardiani nuk ka gjetur dakordësi me drejtuesit dhe për rrjedhojë erdhi largimi.

Për “Panorama Sport”, 31-vjeçari tregon se akordi financiar ishte arsyeja që midis palëve pati kundërshtime, ndaj dhe gjithçka përfundoi në prishje të kontratës. “Nuk gjetëm akordin, ndaj u largova.

Shumë shpejt do të vendos për të ardhmen, pasi ofertat nuk më kanë munguar. Janë disa klube të Kategorisë së Parë që janë interesuar për shërbimet e mira, megjithatë është herët për të vendosur”, përfundoi Selaci.

Boshllëqet e krijuara në kampin shijakas, do të detyrojnë drejtuesit që të ndërhyjnë nga porta në sulm. Pritet që prurjet tek Erzeni të jenë intensive, por konkretizimet do të vijnë vetëm në ditët e ardhshme.

ERALD DERVISHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"