Çmimi i naftës/ Po shpenzojnë shumë për të shkuar në Plug, lojtarët e Lushnjës ankohen për… stërvitjen (EKSKLUZIVE)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 31, 2022 | 12:54

Çmimi i naftës/ Po shpenzojnë shumë për të shkuar në Plug, lojtarët e Lushnjës ankohen për… stërvitjen (EKSKLUZIVE)

Thonë që çdo e keqe e ka një të mirë, por te Lushnja qëndron krejt e kundërta. Nëse deri para pak kohësh ankoheshin për gjendjen e rënduar të infrastrukturës, tani u është shfaqur një tjetër problem.

LUSHNJA AGIM CANAJ

 

Pas investimeve të bëra nga bashkia dhe FSHF-ja, ky problem është zhdukur dhe prej kohësh ekipi po stërvitet në fushën e sapondërtuar në Plug. Vend për t’u “qarë” për kushtet nuk ka, e megjithatë lojtarëve po u rëndohet ndjeshëm xhepi.

Një shqetësim të tillë që e kanë që të gjithë shqiptarët në këto kohë, në fakt, dhe kjo si pasojë e rritjes së ekzagjeruar të çmimeve të karburantit. Duke qenë se duhet të udhëtojnë çdo ditë jashtë qytetit dhe rruga deri në Plug është vërtet e amortizuar, kjo u sjell kosto shtesë dhe u mbetet që ta mbulojnë prej rrogës mujore. Jo vetëm për naftë apo benzinë, por edhe në rrezikun që u shkaktohen makinave.

TRANSFERTAT Lushnja ka pasur kohë të mjaftueshme për të përgatitur Korabin. Pas një jave me ngarkesa, skuadra verdhejeshile është e përqendruar te sfida e së shtunës. Udhëton në Peshkopi dhe dihet raporti i skuadrës me transfertat këtë sezon. Ende nuk e kanë një fitore jashtë fushe dhe mbi të gjitha vështirësia shtohet kur përballë kanë një kundërshtar që nuk ka lënë qoftë edhe një pikë në shtëpi.

QOSHKU Aldo Qoshku është një nga lojtarët më të aktivizuar te Lushnja. Edhe në sezonin e tij të dytë, mbrojtësi po përfshihet sistematikisht në formacion. Ai është optimist për ndeshjen me dibranët, ndërsa qartazi e thotë që edhe barazimi do t’u bënte punë.

Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, lojtari i linjës së majtë tha: “Kampionati po shkon drejt fundit. Në çdo javë, Lushnja ka qenë midis skuadrave që kërkojnë mbijetesën. Duket se kështu do të jetë deri në fund. E rëndësishme është të menaxhojmë sa më mirë ndeshjet e fundit, të marrim sa më shumë pikë. Jemi të përqendruar te ndeshja me Korabin. Duke zbatuar detyrat dhe duke dhënë më të mirën që ka ekipi, shpresojmë të marrim një pikë në këtë ndeshje”.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"