Gjermani-Suedi 4-4, ka dramë në Berlin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2012 | 11:16

Gjermani-Suedi 4-4, ka dramë në Berlin

GJERMANI – SUEDI  4-4
GOLAT : Klose 8′, 15′, Mertesaker 39′, Ozil 56’/ Ibrahimoviç 62′, Lustik 64′, Elmander 76′, Elm 90+2′
GJERMANIA (4-2-3-1): Nojer, Boateng, Mertesaker, Badshtuber, Lahm, Kros, Shvajnshtaiger, Myler (Gëce 67′), Ozil, Rojs (Podolski 87′), Klose Trajner: Joakim Lëv
SUEDIA (4-2-3-1): Isakson, Lustik, Granqvist, J.Olson, Safari, Uernblum (Kalstrom 46′), Holmén (Kacanikliç 46′), Larson (Sana 78′), Ibrahimoviç, R.Elm, Elmander; Trajner: Erik Hamren
KARTONË TË VERDHË: Rojs 84′, Lahm 89′, Shvajnshtaiger 90’/ Isakson 40′
GJYQTAR: Proenka (Portugali)
SPEKTATORË: 72369

E pabesueshme! Gjermania shokohet pas 60 minutave gala! Për të parën herë në historinë e futbollit, “pancerat” janë ndalur në barazim 4-4 pas avantazhit të katërfishtë 4-0. Tri herë kampionët e botës kanë startuar një mbrëmje gala, por në fund ka qenë Suedia ajo që ka kthyer në favor të saj një natë magjike, lojtarët e së cilës u shndërruan në heronjtë e kësaj mbrëmjeje. Klose (8’, 15’), Mertesaker (39’) dhe Ozil (56’) shënojnë të parët duke menduar se kishin siguruar fitoren, por jo… gjigandi Zlatan Ibrahimoviç (62’), Lustik (64’), Elmander (76’) dhe Rasmus Elm vulosin barazimin 4-4. E mbani mend barazimin e çmendur të Livepulit në finalen e Champions-it, më 25 maj 2005 në Stamboll, kur Liverpuli barazon për 6 minutat e fundit dizavantazhin e trefishtë ndaj Milanit? Të njëjtën gjë bëri dhe Suedia në Berlin ndaj Gjermanisë pas dizavantazhit të 4-fishtë.
Gjermania, tripletë për 39’ Ndryshe nga ç’pritej, Lëv bën rotacion: Lahm zhvendoset në të majtë nga mungesa e Shmelcerit, kurse Boateng në të djathtë të mbrojtjes. Kros i zë vendin Khedirës të dëmtuar. Teksa gjyqtari portugez Proença starton ndeshjen, suedezët e humbin topin e parë dhe në zotërim e marrin gjermanët, të cilëve u mjaftojnë 120 sekonda për të rrezikuar portierin Isakson me anë të Mylerit, por shtylla u mohon golin. Suedezët përpiqen të reagojnë me topa të gjatë, mirëpo skema nuk funksionon. Duhen 8 minuta që falë një kombinimi perfekt nga e majta mes Lahmit dhe Rojsit, ky i fundit të japë një asist për Klosen, i cili e shndërron në gol. Pas 7 minutave është sërish Rojs që pason te Klose dhe 34-vjeçari dyfishon rezultatin, duke i çuar në 67 golat me kombëtaren. Teksa miqtë ishin në gjumë total dhe Ibra pothuajse jashtë loje, Mertesaker vulos në të 39-ën minutë duke i çuar skuadrat në dhomën e zhveshjes.
Ozil “poker” Gjermania arrin të mbajë ritmin vetëm për 10 minuta, kur Ozil shënon golin e katërt për 24-vjetorin. Trajneri i Suedisë, Erik Hamren, freskon formacionin duke aktivizuar fantazistët Kacanikliç dhe Kalstrom, të cilët i dhanë ritëm lojës ofensive.
Ibra “hipnotizon” Nojerin Goli i parë i mbrëmjes për miqtë vjen nga i magjishmi Ibrahimoviç, i cili përfiton nga gabimi i Badshtuberit dhe ndëshkon me kokë Nojerin (62’). Pas 120 sekondave është përsëri Lustik që gjen Nojerin të papërgatitur dhe shënon golin e dytë nga një diagonale nga krahu i djathtë. Tërbohet Lëv nga pankina. Mbrojtja e Gjermanisë duket e lodhur dhe e shokuar nga forca fizike e miqve. Në të 76-ën minutë vjen edhe goli i tretë për miqtë me anë të Elmander. Këtu dridhen “pancerat”. Kros dhe Ozil (83) kanë shansin të shënojnë golin e pestë, ashtu si Ibrahimoviç për golin e katërt pas driblimit të Nojerit (85’). Në sekondat e fundit të minutave shtesë të takimit, krosohet topi nga e majta dhe Elm kthehet në heroin e mbrëmjes duke mbyllur ndeshjen në barazim të çmendur 4-4…

Joakim Lëv: S’e shpjegoj dot, nuk është faji im
Joakim Lëv nuk e ka fshehur zhgënjimin e tij për atë barazim të çmendur të Gjermanisë, por gjithashtu nuk gjen dot një fajtor. “Sinqerisht që nuk di se si ta shpjegoj. Kemi zhvilluar një lojë të shkëlqyer për 60 minuta, duke kryesuar 4-0. Më pas, as nuk e kuptova dot se çfarë ndodhi. Patëm një shpërqendrim të pazakontë dhe kundërshtari barazoi. Ishte e pabesueshme. Mbase ka qenë psikologjike, nuk e di”, – u shpreh Lëv. I pyetur se cila ishte biseda që ai ka bërë me lojtarët pas ndeshjes, kreu i pankinës së Gjermanisë tha: “Asgjë. Mbase nuk e besoni, por nuk kisha se çfarë të thosha, apo çfarë të kërkoja. Në dhomat e zhveshjes mbizotëroi heshtja. Askush nuk mund të më shpjegonte se çfarë ndodhi. Është nga ato ndeshje, të cilat nuk përsëriten dy herë në jetë. Është e pabesueshme ta imagjinosh dhe jo më ta shikosh në fushë, aq më tepër në dëm të ekipit tënd”. Gabimet në mbrojtje dhe lëvizjet taktike të Lëvit janë cilësuar si një prej shkaktarëve për atë barazim, por tekniku gjerman nuk është dakord. “Sigurisht që bëmë gabime në fushë, pasi nuk kishte se si të barazonte kundërshtari. Por, nuk besoj se ka të bëjë me skemën apo me emrat e lojtarëve që ishin në fushë, pasi pikërisht ajo skemë dhe ata futbollistë kryesuan 4- 0. Unë e thashë edhe më parë që nuk bëhet fjalë për një gafë, e cila i dhuroi Suedisë një gol. Ne pësuam plot katër të tillë dhe, në raste të tilla, kemi të bëjmë me një ‘përgjumje’. Jam i bindur që gabimet që kemi bërë në këtë ndeshje duhet të na shërbejnë më shumë se zakonisht. Pra, nuk është faji i taktikës sime, apo zgjedhjeve që kam bërë”, – shtoi Joakim Lëv. Kjo ishte hera e parë në të gjithë historinë e kombëtares gjermane, që arrinte të kryesonte me katër gola dhe të mos dalë si fituese nga fusha e lojës.

Lahm: Gabime të pafalshme
Kapiteni i Gjermanisë, Filip Lahm, nuk i ka kursyer kritikat për shokët e ekipit. “Të jesh duke kryesuar 1-0 dhe të barazohesh 1-1 prej një gabimi, është diçka normale në futboll. Por, ajo që ndodhi sot (dje) është e pabesueshme. Kemi bërë gabime të pafalshme, sidomos në rreshtimin dhe përqendrimin e mbrojtjes. Kemi bërë aq shumë gabime, saqë Suedia shënoi katër gola për 30 minuta. Kjo nuk është diçka e lehtë për t’u pranuar, pasi ne jemi kombëtarja e Gjermanisë”, – deklaroi Filip Lahm, i cili luajti si mbrojtës i majtë në sfidën e djeshme.

“Nuk dua ta kujtoj sërish”
“Nuk më ka ndodhur kurrë më parë dhe nuk besoj se do të më ndodhë sërish që të kryesoj 4- 0 dhe të barazohem në 4-4. Nuk di ta shpjegoj atë që ndodhi në fushë. Ishte e pakonceptueshme për një ekip si ne. Gjithsesi, të jem i sinqertë, nuk dua ta diskutoj fare këtë sfidë. As të gjej arsyet, pasi nuk më intereson. Ne duhet ta fshijmë nga memoria. Jemi një ekip që nuk e kemi vënë në diskutim forcën tonë”, – u shpreh Bastian Shvajnshtaiger, i cili e cilëson si rastësore këtë barazim.

Klose, një gol larg Mylerit
Ka pasur dy gëzime në një ditë. 34-vjeçari gjerman është kthyer në një legjendë për Gjermaninë. Në ndeshjen e tij të 126-të me kombëtaren (i dyti pas Mateusit me 150 ndeshje), atë kundër Suedisë, Klose pas vitit 2005 mori për të dytën herë çmimin ‘Fairplay’ nga Federata Gjermane e Futbollit. Por, nuk ishte ky momenti më i rëndësishëm i tij. Ishbomberi i Bajernit, ashtu si 6 vjet më parë në fitoren 3-0 ndaj suedezëve, i ka ndëshkuar ata sërish me dopietë. Ky dygolësh për Klosen kanë qenë i 66-ti dhe 67-ti, duke qenë vetëm një gol larg rekordit të bomberit të kombit, Gerd Myler, i cili ka shënuar 68 gola në 62 ndeshje.

“Pjesën e parë shpresova që të mos pësonim më”
Trajneri i Suedisë, Erik Hamren, e pranon se në pjesën e dytë përjetoi emocione që nuk i kishte parashikuar. “Kur përfundoi pjesa e parë, ne ishim duke humbur 3-0. U thashë lojtarëve se gjithçka kishte marrë fund dhe të mos shqetësoheshin, pasi na prisnin edhe shumë ndeshje të tjera. U kërkova vetëm që të tregoheshin më kompaktë në fushë dhe të evitonin që të pësonin sërish gola”, – u shpreh Hamren. “Kur pësuam golin e katër nga Ozil, iu tremba një humbje akoma më të thellë. Por, ajo që bënë lojtarët e mi në fushë ishte e pabesueshme. Më lanë pa frymë dhe përjetova emocione të jashtëzakonshme. Jam me të vërtetë krenar për futbollistët, pasi treguam karakter. Ishte një mbrëmje fantastike”, – deklaroi trajneri i Suedisë.

“Ndeshja më e bukur e jetës”
Zlatan Ibrahimoviç ka vulosur ndeshje të paharrueshme në historinë e futbollit por, sipas tij, ajo e djeshmja është më e bukura. “Në karrierë kam përjetuar shumë shpesh emocione të forta, por sot (dje) kam qenë prezent në ndeshjen më të bukur të jetës sime. Bëhej fjalë për ekipin tim kombëtar dhe për një rikuperim prej katër golash për gjysmë ore. Ishte mbresëlënës”, – tha Ibra. “Në pjesën e parë u treguam frikacakë. U dorëzuam para kundërshtarit. Edhe trajneri ynë mendoi se ndeshja kishte marrë fund. Por, u kërkova lojtarëve që të guxojnë, të mos dorëzohen. Sapo shënova golin e parë, të gjithë morën zemër dhe më pas u realizua ajo që patë të gjithë”, – përfundoi ylli i Kombëtares suedeze.
Përgatiti: ENIAR IBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"