“Çmenduri me Luftëtarin”, reagon trajneri legjendar: Njerëz të papërgjegjshëm nuk mund të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 31, 2020 | 12:13

“Çmenduri me Luftëtarin”, reagon trajneri legjendar: Njerëz të papërgjegjshëm nuk mund të…

Në Gjirokastër dhe jo vetëm, Hito Hitaj është memorizuar si trajneri më i suksesshëm i Luftëtarit. Ai ka qenë edhe zv.trajner i Kombëtares, kur ajo drejtohej nga Neptun Bajko. Hitaj e ndjek hap pas hapi “çmendurinë” që po përjeton Luftëtari dhe për “Panorama Sport” shpreh indinjatën e tij:

hito hitaj

“Futbolli në Gjirokastër është një organizim profesional i shumë njerëzve që kanë ndërtuar dhe ndërtojnë një aktivitet publik jo vetëm shpirtëror, por edhe jetik. Futbolli i Gjirokastrës është shembull për çdo ekip, pasi Luftëtari ishte furnizuesi i Kombëtares. Sot dalin njerëz të papërgjegjshëm që nuk e njohin këtë punë. Futbollit të Gjirokastrës s’mund t’ia zerosh vlerat e tij, të njerëzve që e ngritën dhe pasuruan traditën.

Të dëgjojnë gjithë ata ish-futbollistë se Luftëtari është shkrirë, është çudia më e madhe, paradoks i madh. Njerëzit më të pafajshëm në Gjirokastër për situatën e krijuar janë futbollistët. Kur në Gjirokastër ekziston infrastruktura e duhur dhe s’luhet futboll, ndiej keqardhje. Ndihem keq për këtë situatë, gjithsesi kam besim se bashkia s’do humbë kohë për ta ndryshuar situatën”.

mustafa hysi

HYSI – Hitaj flet më tej edhe për emërimin e Mustafa Hysit në krye të projektit të riorganizimit të Luftëtarit. “S’jetoj në Gjirokastër , por Luftëtarin e kam në zemër. Kur mësova se Mustafa Hysi mori përsipër ringritjen e Luftëtarit, u ndjeva dy herë i vlerësuar. Me Hysin folëm si mësuesi me ish-nxënësin. Hysi është një djalë i arsimuar, i kulturuar në fushën e futbollit, serioz, me grintë dhe sedër profesionale.

Ai s’mund të bëjë asgjë i vetëm. Në të shkuarën kam pasur një “armatë” të fuqishme dhe Luftëtari u prezantua në ekipin kombëtar me emra të rëndësishëm. Meritë për atë kohë kanë trajnerët Begaj, Çoni dhe figura të tjera që lanë gjurmë në fushën e blertë.

Ndihem mirë që figurat e së shkuarës po ringrihen. Janë këta njerëz që kanë dhënë kontribut dhe kanë djersitur për Luftëtarin. Besoj te karakteri dhe virtytet e Hysit. Ai s’mund ta bëjë i vetëm Luftëtarin, por kur këta njerëz vlerësohen, ndihem shumë mirë”, përfundoi Hitaj.

TOMOR SHEHU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"