Çmenduri me biletat, 10 mijë paund për të parë finalen e parakohshme të Botërorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 8, 2022 | 14:31

Çmenduri me biletat, 10 mijë paund për të parë finalen e parakohshme të Botërorit

Biletat për të ndjekur në stadium ndeshjen çerekfinale të Kupës së Botës mes Anglisë dhe Francës po shiten për 10 mijë paund, ndërsa tifozët e dëshpëruar për të qenë në stadium të shtunën duhet të paguajnë 28 herë më shtrenjtë sesa vlera fillestare e tyre.

54554a30-741e-11ed-bbbd-f56642432497

Rreth 9.500 tifozë anglezë pritet të jenë të pranishëm në stadiumin “Al Bayt” për të mbështetur skuadrën e Garet Sauthgejtit për një biletë në gjysmëfinale në turneun e dytë radhazi pas “Rusi 2018”.

Disa prej ikonave të futbollit botëror do të zbresin në fushë në këtë përballje spektakolare dhe nuk është një surprizë që tifozët janë gati të paguajnë shifra të çmendura për të mos humbur takimin e mbrëmjes së kësaj të shtune.

Kampionët në fuqi të Botës kundër skuadrës që u rendit në vendin e katërt në turneun e katër viteve më parë po tërheq shumë interes edhe te tifozët neutralë.

Gati 800 bileta janë rishfaqur në portalet e rishitjes së tyre dhe çmimet e tyre janë marramendëse, duke u shitur 28 herë më shtrenjtë se çmimi i tyre fillestar.

Dy bileta në kategorinë e 175 paundëve po shiten në sajtin “Ticombo” për 5 mijë paund secila dhe 709 paund duhet paguar për prenotimin e tyre.

Një çmim i tillë mbulon vetëm biletat dhe tifozët të cilët nuk ndodhet aktualisht në Katar, që duhet të shtojnë edhe kostot e fluturimit dhe akomodimit për të ndjekur skuadrën e tyre të zemrës.

Megjithatë, tani nuk është më e vështirë për të hyrë në Katar për tifozët, sepse atyre nuk u duhet më një biletë ndeshjeje për të marrë lejen e nevojshme të emigrimit “Hayya” për të shkelur në vend.

Angli-Francë do të jetë një spektakël në fushë, por pritet të jetë e tillë edhe në tribunat e stadiumit “Al Bayt”, ku për të qenë i pranishëm duhet të paguash shifra të çmendura.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"